Tre ish-roje të burgut të ushtrisë kroate në Kerestinec dëshmuan se nuk dinin asgjë për abuzimin e të burgosurve, për të cilët pesë ish-ushtarë kroatë janë në gjyq për krime lufte.
Roja e burgut, Damir Markovic, dëshmoi të hënën në Gjykatën e Kantonit në Zagreb se nuk ka folur kurrë privatisht me të burgosurit, për këtë arsye nuk di asgjë për abuzim ose ekzistencën e të ashtuquajturës “dhoma e zezë”, ku të burgosurit torturoheshin.
Dëshmitarët Zdenko Milovic dhe Ivan Muranic, ish roje, mbështetën dëshminë e Markovicit.
Milovic shtoi gjithashtu se rojet nuk i morën në pyetje të burgosurit. Ai tha se i pandehuri Stjepan Klaric, ish-komandant i burgut, i urdhëroi rojet t’i trajtonin të burgosurit sipas konventave ndërkombëtare për të burgosurit e luftës.
Komandanti i burgut në Kerestinec, Stjepan Klaric, dhe katër vartësit e tij, Drazen Pavlovic, Viktor Ivancin, Zeljko Zivec dhe Goran Strukelj,akuzohen për torturimin fizik dhe psikologjik të 34 të burgosurve, kryesisht serbë nga Kroacia, dhe abuzim seksual të të burgosurve femra, gjatë gjysmës së dytë të vitit 1991 dhe muajt e parë të vitit 1992.
Burgu gjendej në bazën ajrore të ish-Armatës Popullore Jugosllave, JNA, afër kryeqytetit kroat, Zagreb.
Gjyqi vazhdon më 6 qershor.