Përfaqësuesi i Lartë për Bosnjë ka kërkuar që shoqatat e viktimave boshnjake e kroate dhe kryebashkiaku nga radhët e serbëve të Bosnjës të gjejnë një kompromis që do të lejojë “një përkujtimore të denjë” për familjet e të vrarëve 20 vite më parë.
Valentin Inzko vizitoi qytetin verior të Prijedorit të martën, ku u takua me kryebashkiakun e qytetit, Marko Pavic dhe me tetë shoqata të viktimave, në përpjekje për të lehtësuar tensionet etnike të shkaktuara nga refuzimi i qeverisë lokale për të lejuar të kthyerit jo-serbë të përkujtojnë njerëzit e tyre të vdekur.
“Ka pikëpamje të ndryshme për këtë situatë, por mendoj se ekziston një rrugë për kompromis që do të respektojë të dyja palët dhe do të sigurojë përkujtim të denjë. Këto pyetje duhen diskutuar sërish dhe kam organizuar një takim të ri me të dyja palët, ku do të përpiqemi të gjejmë një mënyrë për këtë”, tha Inzko pasi u takua veçmas me të dyja palët.
Në maj të këtij viti, kryebashkiaku i Prijedorit, Marko Pavic, ndaloi familjet e viktimave që të mblidheshin për të përkujtuar vdekjen e boshnjakëve dhe kroatëve të vrarë në qytet gjatë luftës, duke thënë se një ngjarje e tillë do të “cenonte reputacionin e qytetit”.
Pavic i kundërshtoi organizatat boshnjake që i përshkruan vrasjet si gjenocid. Pas takimit me Inzkon të martën ai tha se nuk kishte ndryshuar mendim për këtë çështje.
“I thashë Inzkos se nuk mund të pranojmë që ngjarjet në Prijedor të quhen gjenocid. Besoj se përdorimi i asaj fjale është shkelje e të drejtave tona dhe e ligjit, sepse asnjë gjykatë nuk ka vendosur se në Prijedor ka ndodhur gjenocid. Kjo do të sillte vetëm urrejtje në Prijedor përsëri,” tha Pavic.
Pavic shtoi se do të pranonte përkujtimoret nëse fjala gjenocid do të hiqet nga të gjitha dokumentet dhe fjalimet publike.
Inzko, sidoqoftë, tha se Prijedori ishte një nga vendet ku u vranë numri më i madh i personave gjatë luftës, dhe familjet e të vrarëve kanë të drejtën për dinjitet.
Përfaqësuesi i Lartë u takua gjithashtu me zyrtarë nga miniera e Omarskas, vendi i kampit famëkeq për jo-serbët në Prijedor gjatë luftës.
Në fillim të majit, përfaqësues të shoqatave të viktimave boshnjake u ndaluan të hynin në kampin në Omarska, nga Arcelor Mittal, një kompani me bazë në Angli që është prodhuesi më i madh çelikut në botë e që ka blerë minierën. Kompania citoi si arsye për refuzimin shkaqet e sigurisë.