Lajm 22 Aug 12

ICTY Refuzon Mocionin e Karadzicit për të Thirrur Clintonin të Dëshmojë

Tribunali i Hagës, ICTY, ka refuzuar mocionin e ish-liderit serb të Bosnjës, Radovan Karadzic, për të marrë në pyetje ish-presidentin e SHBA-së, Bill Clinton.

Marija Ristic
BIRN
Beograd

Trupi Gjykues i ICTY-së vendosi se Karadzici nuk ka vërtetuar në mocionin e tij se dëshmia e presidentit Clinton do të ishte e nevojshme për rastin, ose se informacioni që Karadzici dëshiron të marrë nga ish-presidenti i SHBA-së nuk mund të merret nga burime të tjera.

Karadzici ka kërkuar më parë ICTY-në të thërrasë ish-presidentin e SHBA-së, Bill Clinton, për të dëshmuar për dërgimin e paligjshëm të armëve në Bosnjë.

Ai kishte propozuar që të dërgonte avokatin e tij për të marrë në pyetje Clintonin në Departamentin Amerikan të Shtetit, më 10 shtator.

Sipas Karadzicit, Clintoni e dinte për dërgimin e paligjshëm të armëve nga Irani te boshnjakët, përmes Kroacisë.

Karadzici tha se Clinton kishte dërguar një delegacion në Ballkan në vitin 1995, qëllimi i të cilit ishte t’iu thuhej boshnjakëve se nëse marrëveshjet për paqe do të dështonin, SHBA-ja do t’iu jepte vetë armë boshnjakëve dhe kroatëve në Bosnjë.

Ai thotë se kjo lëvizje i inkurajoi boshnjakët të bombardonin tregun Merkale në Sarajevë më 28 gusht 1995, një nga veprimet për të cilat Karadzici është paditur.

Karadzici dërgoi kërkesën e parë për intervistë në zyrën e Clintonit në maj, por kërkesa u refuzua menjëherë nga zyra e presidentit.

Karadzici akuzohet, si president i Republikës Srpska dhe komandant suprem i forcave të saj të armatosura, për gjenocid, krime ndaj njerëzimit dhe dhunime të rregullave dhe zakoneve të luftës, në periudhën midis viteve 1992 dhe 1995.

Gjyqi i tij filloi në tetor të vitit 2009 dhe prokuroria përfundoi së prezantuari provat në maj të këtij viti. Karadzici pritet të fillojë të prezantojë provat e tij në tetor.

Karadzici ka deklaruar se është i pafajshëm ndaj të gjitha akuzave.

blog comments powered by Disqus