Lajm 15 Jun 12

ICMP Përfundon Punën në Bosnjë

Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur, ICMP, është takuar me autoritetet në Bosnjë, për të diskutuar mënyrat për të përfunduar misionin, tani që 70% e të zhdukurve janë identifikuar me sukses.

Elvira Jukic
BIRN
Sarajevë

Kryetari i ICMP-së, Thomas Miller, është takuar me Vjekoslav Bevandën, kryeministrin boshnjak, në Sarajevë, për të diskutuar sukseset e misionit dhe mënyrat për ta përfunduar, tani që 70 për qind e punës së Komisionit, që filloi më 1996, është kompletuar.

Miller, ish-ambasador i SHBA-së në Bosnjë dhe Hercegovinë, tha për një konferencë për shtyp, pas takimit të mërkurën, se ICMP-ja ka punuar ngushtësisht me familjet e personave të zhdukur për të identifikuar viktimat.

“Jam shumë krenar për misionin e ICMP-së”, tha Miller, “Kjo është çështje e humanitetit... t’u japim mbyllje familjeve që humbën të dashurit e tyre… dhe çështje e etnisë nuk është relevante këtu”.

Bevanda, kryeministri boshnjak, tha se ka përfshirë ministritë përkatëse të qeverisë për t’u përgatitur për kohën kur do të ndërmarrin përgjegjësitë e ICMP-së, kur misioni i tij të përfundojë në Bosnjë.

“Bosnja nuk është më prioritet dhe fokusi i ICMP-së ka lëvizur në rajone të tjera duke qenë se shumica e punës këtu është kryer”, tha Bevanda.

“Kemi folur se sit ë vazhdojmë punën e Komisionit këtu”, tha ai. “Është detyrimi ynë të bëjmë çfarë të mundemi për të ndihmuar familjet e viktimave për të ditur të vërtetën e të dashurve të tyre”.

ICMP u themelua nga një iniciativë e ish-presidentit amerikan Clinton, në vitin 1996, dhe roli fillestar ishte të siguronte bashkëpunimin e qeverive për të gjetur dhe identifikuar ata që u zhdukën gjatë konfliktit të armatosur, ose si rezultat i dhunimeve të të drejtave të njeriut.

Sipas shifrave të ICMP-së, 40,000 persona ishin të zhdukur, dhe supozoheshin të vdekur, në fund të konflikteve në ish-Jugosllavi.

Rreth 30,000 u zhdukën gjatë luftës në Bosnjë. Pesë mijë e pesëqind u zhdukën gjatë luftës në Kroaci, 4,400 gjatë konfliktit në Kosovë, dhe 23 persona u zhdukën gjatë krizës së vitit 2001 në Maqedoni.

Sot numri i të zhdukurve në rajon është rreth 14,000.

Rreth 10,000 viktima të luftës në Bosnjë ende mungojnë, 2,000 viktima nga lufta në Kroaci, 900 nga konflikti në Kosovë dhe 13 në Maqedoni.

ICMP-ja ka zhvilluar një bazë të të dhënave me familjarë të personave të zhdukur, dhe më shumë se 36,000 mostra kockash janë marrë nga eshtrat e zhvarrosura nga varret klandestine në vendet e ish-Jugosllavisë.

blog comments powered by Disqus