Lajm 28 Jan 13

I Burgosuri në Barakat e Ushtrisë në Sarajevë Tregon për Rrahjet

Një dëshmitar serb i Bosnjës dëshmoi sesi një roje e sulmonte rregullisht, kur ishte i burgosur në barakat e ushtrisë “Viktor Bubanj”, gjatë kohës së luftës.

Raporti i Drejtësisë
BIRN
Sarajevë

Duke dëshmuar në gjyqin për krime lufte në Sarajevë, të premten, dëshmitari i prokurorisë, Slobodan Guaj, tha se i pandehuri Iulian - Nicolae Vintila, i cili ishte kuzhinier dhe roje burgu në baraka, e kishte rrahur disa herë në qeli.

“Kur më rrahu dy ose tre herë, pyeta [një dëshmitar tjetër] se si e kishte emrin dhe më tha se ishte Vintila Kuzhunieri”, tha dëshmitari.

Vintila dhe Ramiz Avdovic akuzohen, si anëtarë të një aksioni të përbashkët kriminsl, se kanë marrë pjesë në krijimin dhe mirëmbajtjen e një sistemi për abuzim të civilëve serbë, mes qershorit dhe fundit të nëntorit 1992.

Sipas aktpadisë, Avdovic ishte përgjegjës për të gjithë rojet në burgun e barakave ushtarake “Viktor Bubanj”, ndërsa Vintia ishte kuzhinier dhe roje në baraka.

I pyetur nga avokati i Vintilas, Vlado Adamovic, nëse ishte e mundur se ka gabuar të pandehurin me dikë tjetër, dëshmitari u përgjigj se “çdo gjë është e mundur”.

Avokati mbrojtës tha se beson se ky është një rast gabim identiteti dhe se ka pasur mospërputhje mes deklaratës së mëparshme të dëshmitarit dhe dëshmisë në gjykatë.

Dëshmitari tha se ishte rrahur kur kishte arritur në barakat “Viktor Bubanj” dhe më pas kishte humbur vetëdijen.

“Të shkelmonin, të rrihnin me grushte dhe shkopinj... Ishin dhimbje të tmerrshme. Isha i nxirë i tëri dhe habitem se si kam mundur ta duroj gjithë atë”, tha ai.

Ai tha se gjatë kohës në baraka u mor për pyetje nga gjyqtari hetues dhe iu tha se po gjykohej për “bashkëpunim me ushtrinë e Republikës Srpska”.

“U dënova me një vit burgim dhe kjo ishte vetëm për të mbuluar kohën që më kishin mbajtur. Më vonë e rritën dënimin me gjashtë muaj”, tha Gutaj.

Ai kaloi pothuajse tetë muaj në barakat “Viktor Bubanj” dhe më pas u lëviz në Burgun Qendror në Sarajevë.

Gjyqi do të vazhdojë më 1 shkurt.

blog comments powered by Disqus

Buletini ditor