Lajm 29 Nov 12

Haradinaj Mirëpritet me Eufori në Kosovë

Ish-kryeministri dhe ish-lideri i UÇK-së Ramush Haradinaj u kthye në Kosovë si një njeri i lirë i pritur me entuziazëm pas lirimit nga Tribunali i Hagës të enjten.

Edona Peci
BIRN
Prishtinë
Haradinaj arrin në Prishtinë,  Foto nga Beta

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe zyrtarë të tjerë qeveritarë, si dhe familja e Haradinajt dhe anëtarë të partisë së tij, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ishin në Aeroportin Ndërkombëtar në Prishtinë për të mirëpritur kthimin e tij.

Qindra dashamirë filluan të festonin në aeroport, disa orë para arritjes së tij.

Duke folur në një konferencë për shtyp të mbajtur në aeroport, Haradinaj tha se është i lumtur që “drejtësia ndërkombëtare konfirmoi se rruga jonë për liri ishte e pastër dhe e drejtë”.


“Garantoj se do të punojë me të gjithë ju që të mund të zhvillojmë vendin tonë, të tejkalojmë sfidat dhe të arrijmë fitore së bashku”, shtoi ai.

Thaçi mirëpriti kthimin e Haradinajn, duke i uruar “kthim të suksesshëm” në politikën e Kosovës.

Më herët në mëngjes, familja e Haradinajt, u mblodh në shtëpinë e tij në Gllogan, dhe festuan aktgjykimin me lotë gëzimi.

I ati i Haradinajt mirëpriti vendimin si “fitore e madhe për të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen”.

Bashkëshortja e Haradinajt, Anita, e cila e ndoqi transmetimin live bashkë me fëmijët e saj në shtëpinë e çiftit në Prishtinë, tha për RTK-në, transmetuesin publik në Kosovë, se pafajësia e bashkëshortit të saj është vërtetuar.

“Tribunali I Hagës ka konfirmuar pafajësinë e Ramushit. Kjo aktpadi ishte politike, asgjë më shumë”, tha ajo.

Tribunali i Hagës ka liruar Haradinajn, Balajn dhe Brahimajn nga të gjitha akuzat për krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë, në fund të viteve 1990-të.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, AAK, partia opozitare të cilën Haradinaj do të vazhdojë të udhëheqë pas lirimit të tij, tha se kthimi i tij “ do të thotë ndryshime të mëdha për skenën politike në Kosovë”.

Blerim Shala, një nga nënkryetarët e partisë, tha se Haradinaj do të rinisë përfshirjen në politikë.

“Do të shohim se çfarë forme konkrete do të kenë këto ndryshime… bashkë, do të analizojmë të gjitha opsionet”, tha ai, duke mos përjashtuar mundësinë e AAK-së për të hyrë në koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës, PDK, në pushtet.

“Mendojmë se opsioni më i mirë është që Haradinaj të jetë në krye të qeverisë”, shtoi ai.

Avokati i Haradinajt, Ben Emmerson, tha se ish kryeministri, “me pëlqimin e popullit, do të rikthehet në pozitën që i takon si lideri politik i vendit”.

“Më ka kërkuar të them se si lider i Kosovës së lirë do të sulmojë korrupsionin kudo që të gjendet dhe se do të merret më të në mënyrë të vendosur. Do të garantojë të drejtat e të gjitha minoriteteve dhe do të sigurojë pjesëmarrje të plotë politike për serbët në Kosovë”, tha Emmerson.

Haradinaj, zyrtari më i lartë etnik shqiptar, i paditur nga ICTY, ka shërbyer si kryeministër për 100 ditë para se të jepte dorëheqjen në mars të vitit 2005 për t’u marrë me gjyqin e tij të parë në ICTY. Pasi u shpall fajtor në vitin 2008, në vitin 2010 u urdhërua rigjykimi i rastit.

Qeveria e Kosovës, nën Hashim Thaçin, mirëpriti lirimet. Në një deklaratë për shtyp, kryeministri Thaçi e përshkroi aktgjykimin si të drejtë.

“Ky aktgjykim është prova më e fuqishme që Ushtria Çlirimtare e Kosovës bëri një luftë të drejtë për liri dhe nuk ka bërë krimet për të cilat është akuzuar padrejtësisht.

“Kjo është vërtetuar nga Tribunali i Hagës sot dhe do të vërtetohet sërish në rastin e Fatmir Limajt dhe shokëve të tij”, lexohet në deklaratën për shtyp.

Presidentja Atifete Jahjaga tha se është e lumtur që “Haradinaj po kthehet tek familja e tij dhe në Kosovë për të vazhduar të kontribuojë, konsolidojë dhe forcojë më tej proceset demokratike nëpër të cilat po kalon vendi”.

“Vendimi i Tribunalit… është provë se lufta jonë është e drejtë dhe se ata që udhëhoqën luftën për liri nuk janë fajtorë për krimet për të cilat u akuzuan”, shtoi ajo.

Lirimi i Haradinajt dhe dy ish-komandantëve të tjerë të UÇK-së, pas lirimit të fundit të dy gjeneralëve kroatë nga akuzat për krime lufte të kryera gjatë operacionit “Oluja” [“Stuhia”] ka inatosur Serbinë.

Presidenti Tomislav Nikolic tha se aktgjykimet tregojnë se Tribunali i Hagës është formuar për të vënë në gjyq popullin serb.

“Vendimi i fundit i Tibunalit nuk është i bazuar në ligj dhe drejtësi, kushtet thelbësore mbi të cilat duhet bazuar çdo gjykatë ndërkombëtare. Tribunali, qartësisht i themeluar jashtë ligjit ndërkombëtar, është formuar për të gjykuar popullin serb”, tha Nikolic.

 

 

blog comments powered by Disqus