Reportazh 23 Jan 13

Grindja Për Monumentin e Guerilëve Ndan Shqiptarët e Serbisë

Pasi Beogradi largoi një memorial të luftëtarëve shqiptarë në Preshevë, disa vendas bëjnë thirrje për dialog politik, por të tjerët refuzojnë bashkëpunim me qeverinë.

Idro Seferi
BIRN
Preshevë

Disa liderë shqiptarë kanë kërkuar për bisedime me Beogradin, pasi autoritetet dërguan policinë në Preshevë për të larguar me forcë monumentin kontrovers, duke shkaktuar kështu protesta në qytetin jugor të Serbisë.

“E humbëm shansin për kompromis dhe duhet të flasim”, tha Riza Halimi, anëtari i vetëm shqiptar në parlamentin serb.

Por, të tjerët, përfshirë aktivistët politikë dhe ish-guerilët që luftuan që zona të bashkohej me Kosovën gjatë konfliktit të shkurtër në vitin 2000, thanë se duan të ngrijnë marrëdhëniet me autoritetet serbe dhe të krijojnë një sistem paralel qeverie.

“Nuk mund të veprojmë sikur nuk ka ndodhur asgjë dhe mendoj se duhet të ndërpresim çdo lidhje me qeverinë qendrore. Na trajtojnë si qytetarë të shkallës së dytë”, tha Belgzim Kamberi, drejtori i Këshillit të të Drejtave të Njeriut në Preshevë.

Rreth 200 forca policore hynë në Preshevë orët e para të 20 janarit për të rrëzuar monumentin e luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, që vdiqën në konflikt.

Qeveria e Beogradit këmbënguli se monumenti promovonte ndarje etnike dhe kishte paralajmëruar disa herë se ai duhej larguar.

Ditën e nesërme, mijëra protestues dolën në rrugët e Preshevës, duke thënë se largimi i monumentit ishte një shembull tjetër diskriminimi ndaj shqiptarëve etnikë.

Disa liderë të Preshevës thanë se duan që çdo dialog me Beogradin të ndërmjetësohet nga komuniteti ndërkombëtarë për t’u përpjekur për të siguruar drejtësi.

“Do të donim të diskutonim problemet tona duke filluar që nga kryengritja, sepse këta njerëz vdiqën për liri. Por, ka kaq shumë problem që duhet të zgjidhim si për shembull kujdesi shëndetësor, arsimi, ekonomia, problemet sociale, gjuha, simbolet dhe çështje të tjera”, tha Skender Destani, kryetari i Bashkimit Demokratik në Preshevë, për Balkan Insight.

“E dimë që po merremi me një qeveri që nuk është e interesuar në problemet tona, por kjo është e gjitha çfarë mund të bëjmë për tani”, tha ai.

Por, ish-luftëtari Orhan Rexhepi, lideri i partisë Lëvizja Kombëtare Shqiptare, tha se nuk do të kishte besim në Beogradin edhe nëse SHBA-ja dhe BE-ja përfshihen në dialog.

“Duhet t’i bazojmë bisedimet në referendumin e vitit 1992. Kjo është arsyeja pse luftuam”, tha ai, duke iu referuar referendumit lokal para 21 vitesh, në të cilin shumica e shqiptarëve votuan për autonomi territoriale dhe mundësinë për t’u bashkuar me Kosovën, edhe pse vota u refuzua nga Beogradi.

“Serbia po na shtyn të kërkojmë ndarje”, tha Rexhepi.

Sidoqoftë, Abdulla Ahment, drejtor i Iniciativës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Preshevë, tha se “kërkesat për një sistem paralel janë reagime emocionale dhe janë larg nga realiteti”.

Ajo tha se politikanët në Beograd dhe Prishtinë e luajtën situatën në Preshevë për avantazh politik në vetë konfliktin mes tyre.

“Serbia dhe Kosova donin të forconin pozitat e tyre në negociata dhe kjo është arsyeja pse po përdorin çështjen e monumentit”, tha Ahmeti për Balkan Insight.

Kosova dhe Shqipëria kanë dënuar Serbinë për largimin e monumentit, ndërsa qeveria e Prishtinës e quajti “provë tjetër se urrejtja ndaj shqiptarëve në luginën e Preshevës është ende gjallë”.

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka thënë të hënën se konflikti tregoi se shqiptarët etnikë në Ballkan duhet të bashkohen në një shtet të vetëm.

Por, Beogradi ka insistuar se situata mund të zgjidhet vetëm në mënyrë të brendshme.

“Jemi në kontakt të vazhdueshëm me liderët shqiptarë dhe do të merremi bashkë me problemet”, tha të martën Zoran Stankovic, drejtori i organit koordinues të Serbisë për Preshevën, Bujanocin dhe Medvegjën.

Jugu i Serbisë është mes rajoneve më pak të zhvilluara në vend, në gjendje të vështirë sociale dhe ekonomike, papunësi të lartë dhe të ardhura të ulëta.

Rajoni është parë si problematik për një kohë të gjatë nga autoritetet në Beograd për shkak të lidhjeve të ngushta me Kosovën.

Një nga sfidat kryesore mbetet mungesa e besimit e shqiptarëve vendas në institucionet serbe. Shumica e tyre e shohin Prishtinën si kryeqytetin e tyre de facto, dhe jo Beogradin.

This article is Premium Content. In order to gain access to it, please login to your account below if you are already a Premium Subscriber, or subscribe to one of our Premium Content packages.

Buy Premium Subscription

Our Premium Service gives you full access to all content published on BalkanInsight.com, including analyses, investigations, comments, interviews and more. Choose your subscription today and get unparalleled in-depth coverage of the Western Balkans.

Buy Premium Subscription

If you have trouble logging in or any other questions regarding you account, please contact us

blog comments powered by Disqus