Koment 07 Dec 12

Gotovina: Nuk Ka Gjasa Të Jetë Hero i Dialogut Serbo-Kroat

Mesazhet për pajtim nga Ante Gotovina, gjenerali kroat, i cili u lirua së fundi nga Tribunali i Hagës, kanë zhgënjyer të djathtën në Kroaci.

Boris Pavelic
Zagreb

“Nuk e njoh Tribunalin e Hagës”, ishin fjalët e fundit publike të Ante Gotovinës para se të arratisej nga aktpadia e Tribunalit të Hagës, verën e vitit 2001.

Për pothuajse pesë vjet, askush nuk e dinte se ku ishte. Por e djathta anti-europiane kroate e dinte si të përfitonte nga Gotovina si simboli i tyre politik.

Komandanti i luftës u bë një lloj Rambo i Kroacisë, Che Guevara i të djathtëve. Ndërkohë, arratisja e Gotovinës bllokoi rrugën e Kroacisë për në BE për pesë vjet.

Pasi u bë e qartë se Kroacia nuk mund të fillonte negociatat për në BE pa Gotovinën në Hagë, ai u arrestua në ishujt Kanarie në Spanjë, në dhjetor të vitit 2005.

Pastaj, një ndryshim i papritur filloi të ndodhë: që nga fillimi, i pandehuri haptazi po e nderonte Tribunalin e Hagës.

Nuk tregoi asnjëherë mungesë respekti. Për më tepër, bëri gjeste që inatosën këshilltarët e tij të djathtë në Kroaci.

Kur Slobodan Milosevici vdiq në burgun e Hagës në vitin 2006, Gotovina i shprehu ngushëllimet e tij familjes.

Në janar, kur kroatët votuan në një referendum për BE-në, Gotovina bëri publike votën “pro”.

Por, pastaj u dënua si kriminel lufte. Në prill të vitit 2011, Tribunali i Hagës e dënoi atë dhe Mladen Markacin me 24 dhe 18 vjet burgim, respektivisht, për pjesëmarrje në një aksion të përbashkët kriminal për të dëbuar serbët e Kroacisë nga Krajina, gjatë operacionit “Stuhia” të vitit 1995.

Pastaj, më 16 nëntor, Gotovina u kthye në atdhe i lirë.

Për disa orë, çdo gjë ishte gati për një ringjallje spektakolare të ndjenjave anti-europiane në Kroaci: dhjetëra mijëra vetë u mblodhën në sheshin kryesor në Zagreb, duke bërtitur: “Presim komandën tënde, gjeneral”.

Por, komanda nuk u dha. Përkundrazi. “Luftën e kemi lënë pas. Le t’i kthehemi të ardhmes”, tha ish-komandanti.

“I falënderoj institucionet e Kroacisë”, tha ai. Turma fishkëlleu.

Por, në ditët në vijim ai vazhdoi me të njëjtin ton. Intervista e tij e parë, në tabloidin  serb “Kurir”, iu bëri thirrje serbëve të Kroacisë të kthehen në shtëpi. “Kroacia nuk është më shumë atdheu im se ç’është i tyre”, tha ai.

Habia ishte kaq e madhe sa shumë persona në Kroaci besonin se ishte intervistë e sajuar, derisa “Kurir” e publikoi versionin audio.

Në fshatin e tij të origjinës, Pakostane, fortesë e ndjenjës të djathtë për vite, Gotovina foli për shpikësin e njohur Nikola Tesla si idealin e tij, duke përsëritur mesazhin pajtues.

“Kjo është e tepërt, e thënë nga Ante”, u ankua i zemëruar në gazeta, Zvonimir Trusic, një aktivist i djathtë dhe bashkëluftëtar i luftës i famëkeqit Tomislav Mercep.


“Kombi pyet nëse ky është Gotovina ynë”, u ankua Hrvatski List, një gazetë e përjavshme e djathtë nga qyteti bregdetar i Zarës, ku Gotovina ishte komandant gjatë luftës.

“Nuk mund ta kem gabim, sepse jam i ndershëm”, u përgjigj Gotivina, ndërsa shpresa që e djathta ekstreme në Kroaci kishte investuar në të, u zhduk si vesa e mëngjesit.

Pavarësisht fatit të tij personal dhe simbolik, pyetje të rëndësishme mbesin pa përgjigje për se çfarë ndodhi me të vërtetë në operacionin “Stuhia”.

Dialogu për këtë çështje është më i nevojshëm se kurrë, veçanërisht sepse lirimi Govotina-Markac nxiti reagime kundërshtare në Kroaci dhe Serbi.

Si fillim, vullneti për të kuptuar bindjet e anës tjetër mund të jetë i nevojshëm për besim të dyanshëm.

Po, krime lufte u kryen gjatë dhe pas “Stuhisë” - të paktën 49, ka vërtetuar Tribunali i Hagës, dhe deri në 600 civilë janë vrarë, sipas numrave të Komisionit të Helsinkit në Kroaci. Askush nuk është dënuar për këto krime lufte.

Dhe po, të paktën 200 000 serbë u larguan nga territori, më pak se gjysma e të cilëve u kthen në 17 vjetët  e fundit.

Dhe po, qeveria dhe institucionet kroate e kanë penguar kthimin e tyre.

Po, edhe sot, pengesat për kthimin e tyre janë të vështira për t’u zhdukur.

Nuk është shumë e këndshme të jesh serb në Kroaci - dhe fjalë më të rënda mund të përdoren në këtë rast.

Por, nëse pyet kroatët, ata thonë se nuk është e drejtë të përmendet vetëm ajo anë e medaljes.

Kjo ndjenjë, se “Stuhia” nuk mund të kuptohet pa përmendur se çfarë ndodhi më parë, mund të shihet si një nga arsyet kryesore për festime të tilla masive dhe të zhurmshme pasi Gotovina dhe Markaci u liruan.

Ndjenja kryesore për luftën në Kroaci është se ishte e drejtë dhe e justifikuar.

Kroatët ndjejnë se kishin të drejtë të çlironin një të tretën e vendit të tyre ku s’mund të kishin qasje për katër vjet.

Nëse “çlirim” do të thotë “të heqësh qafe serbët”, kjo duhet pranuar se është më e komplikuar.


Kur presidenti Franjo Tudjman reagoi ndaj eksodit serb në vitin 1995, duke iu dhënë “lamtumirë” serbëve, kroatët nuk e kundërshtuan.

Sikur Tudjman të kishte vepruar, për shembull, si Vaclav Havel, “njerëzit e zakonshëm” do ta kishin pranuar në të njëjtën mënyrë.

Por, fatkeqësisht nuk e bëri këtë. Dhe e dinte se kroatët nuk do ta kundërshtonin. Sepse, gjakderdhja mes viteve 1991 deri në 1995 nuk kishte kauzë të arsyeshme.

Në tetor të vitit 1991, dëbimi i parë masiv i joserbëve ndodhi në Kroaci: të gjithë joserbët nga qyteti i vogël Ilok, në anën kroate të Danubit, u dëbuan në një kolonë të gjatë të trishtuar.

Askush nuk ishte vrarë - ende.

Por në muajt në vijim, sipas të dhënave të qeverisë kroate, rreth gjysmë milioni joserbë, kryesisht kroatë etnikë, u dëbuan nga shtëpitë e tyre në Kroaci.

Armata Popullore Jugosllave, JNA, mori pjesë në këtë. Aktgjykimi i Tribunalit të Hagës kundër Milan Marticit, ish-lideri i republikës së vetëkrijuar serbe të Krajinës, tha se sulmi në fshatin Kijevo, më 26 gusht 1991, i kryesuar nga Ratko Mladici, shënoi haptazi transformimin e JNA-së në një ushtri serbe.

Që do të thotë se nga gushti i vitit 1991, JNA-ja filloi luftë në ish-Jugosllavi si ushtria serbe, me Mladicin si figurë ndërlidhëse.

Qytetet u shkatërruan. Njerëzit humbën jetën dhe shtëpitë e tyre. Rrugët kryesore të transportit u bllokuan. Vendi ishte i paralizuar. Vlerësohet se 15 000 persona janë vrarë në anën kroate.

Ishte e qartë që Kroacia nuk mund të mbijetonte nëse situata do të mbetej siç ishte.

Negociatat politike nuk sollën rezultat. Komuniteti ndërkombëtar propozoi të ashtuquajturin plani Z-4, një lloj preteksti për Marrëveshjen e Paqes në Dayton. Tudjman pranoi formalisht, por Martic madje refuzoi ta lexonte.

E drejta për t’u mbrojtur ishte fjala e ditës.

Kjo është kryesisht se çfarë mendojnë shumica e kroatëve për operacionin “Stuhia”. Po, krime u kryen, por ishin fryt i ligë i katër viteve pushim, që kishin të drejtë të ndalonin, gjë që e bënë.

Martic dhe Milan Babic pas së gjithash u dënuan si kriminelë lufte në Tribunalin e Hagës - kjo mjafton për të kuptuar se çfarë ishte “shteti” i Republikës së vetë-shpallur serbe të Krajinës.

Pra, në fund: krime në të dyja anët? Po. Fqinj, pavarësisht? Po. Paqe dhe dialog? Shpresojmë që po. Konflikte dhe luftë? Shpresojmë që jo.

Dialogu është e vetmja rrugë, dhe sa më banale tingëllon kjo, aq më e nevojshme është. Ante Gotovina nuk e ka penguar - kjo mjafton si fillim.

Disqus

blog comments powered by Disqus

Sfond

disidenti-kroat-kishte-frikë-se-mos-rrëmbehej-nga-spiunët-jugosllavë

Disidenti kroat kishte frikë se mos rrëmbehej nga spiunët Jugosllavë

Gjyqi i Zdravko Mustac dhe Josip Perkovic, ish shefa të spiunazhit jugosllav të akuzuar për vrasjen e një emigranti kroat, dëgjoi se viktima në mënyrë të përsëritur i tha të dashurës gjermane se ai po jetonte me frikë.

Veteranët kroatë të luftës organizojnë protestë të re kundër alfabetit cirilik

Aktivistët në Vukovar vendosën letra ngjitëse të mëdha me flamuj kroatë mbi tabelat me germa cirilike nëpër ndërtesat publike duke rigjallëruar protestat pasi përpjekjet e tyre për referendum kombëtar mbi çështjen dështuan.

Gjyqësori serb ende i ndikuar nga qeveria, anketa nxjerr në pah

Shumica e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Serbi nuk besojnë se sistemi është i fuqishëm sa duhet për t’i marrë vendimet e tij në mënyrë të pavarur, një anketë e re nxjerr në pah.

Buletini ditor