Lajm 12 Jan 18

Gjyqtari serb dhe i pandehuri përplasen në gjyqin e Lovasit

Gjyqtari dhe një i pandehur debatuan pasi gjyqi i luftëtarëve serbë të akuzuar për vrasjen e 70 civilëve kroatë në fshatin Lovas në vitin 1991 u shty përsëri të premten.

Filip Rudic
BIRN
Beograd
Gjykata Speciale e Beogradit. Foto: BIRN

Pasi seanca dëgjimore u shty, një nga të pandehurit, Zoran Kosijer, u ankua se s’po merrte transkriptet nga seancat e mëparshme, por iu tërhoq vëmendja nga kryetari I trupit gjykues para se të mbaronte fjalën.

“Si supozohet ta përgatis deklaratën time mbyllëse?” e pyeti Kosijeri gjyqtarin, I cili I tha atij të paraqiste një kërkesë për transkriptet.

Kosijeri pohoi se ai duhet t'i merrte këto transkripte sipas parazgjedhjes.

Gjyqtari i tha Kosijerit të kërkojë sqarime nga avokati i tij dhe e ndërpreu atë para se ai të përfundonte së bëri pyetje.

"Nuk ka asnjë arsye që të përfshihemi në këtë lloj polemike,” tha gjyqtari.

Seanca në Gjykatën Speciale të Beogradit u shty për shkak se një tjetër i pandehur, Miodrag Dimitrijeviç, nuk mund të merrte pjesë për shkak të problemeve serioze të stomakut, tha në gjykatë avokati i tij.

Kjo është hera e katërt radhazi që gjyqi i Lovasit, i cili filloi në prill të vitit 2008, shtyhet. Seanca e ardhshme është caktuar më 27 shkurt.

Dhjetë ish-anëtarë të policisë, forcave territoriale mbrojtëse serbe, të Ushtrisë Popullore Jugosllave dhe njësisë paraushtarake "Dusan Silni" (Dusani i madh) akuzohen për krime lufte kundër civilëve dhe për vrasjen e 70 prej tyre në fshatin kroat të Lovasit në tetor 1991.

Aktakuza thotë se forcat serbe pushtuan Lovasin më 10 tetor të atij viti, pas të cilës filluan rrahjet dhe torturat e civilëve.

Më 17 tetor forcat dyshohet se rrethuan rreth 70 burra nga Lovasi, të moshës 18 deri në 65 vjeç, i mbajtën ata në burg dhe torturuan disa prej tyre.

Të nesërmen, të pandehurit Radovan Vlajkoviç dhe Radisav Josipoviç, të cilët ishin zyrtarë ushtarakë me forcat territoriale serbe, u urdhëruan të përdornin civilët si mburojë njerëzore në një fushë të minuar, sipas aktakuzës.

Vlajkoviç dhe Josipoviç thuhet se zgjodhën rreth 50 civilë dhe u thanë atyre të ecnin drejt një fushe aty pranë për të kontrolluar se ku ishin minat.

Kur arritën atje, anëtarët e njësisë paraushtarake “Dusan Silni” u thanë civilëve të ecnin në rresht dhe të kontrollonin me këmbët e tyre ku ishin minat. Vlajkoviç dhe Josipoviç dyshohet se morën pjesë në këtë.

Kur një burrë u rrëzua, një minë shpërtheu dhe në të njëjtën kohë një numër ushtarësh filluan të qëllonin me armë kroatët, 19 prej të cilëve u vranë.

Prokuroria tha se 20 civilë u vranë më 10 tetor, kur fshati ishte rrethuar, ndërsa viktimat e tjera u vranë në periudha të tjera.

Të gjithë ish-luftëtarët u dënuan në vitin 2012, por gjykata e apelit e Serbisë e anuloi vendimin dhe e dërgoi çështjen për rigjykim në vitin 2014.

Katër nga ata që ishin dënuar fillimisht - Ljuban Devetak, Dragan Baciç, Aleksandar Nikolaidis dhe Milan Radojciç - kanë vdekur që nga ajo kohë.

Zv/prokurori i krimeve të luftës i Serbisë kërkoi në mars 2017 që dhjetë të pandehurit të burgoseshin me një total prej 83 vitesh burg.

Disqus

blog comments powered by Disqus

Buletini ditor