Gjyqtarët e ICTY-së për rastin e Radovan Karadzicit, ish-president i Republikës Srpska, po vizitojnë lokacione në Srebrenicë, të cilat janë relevante për akuzat për gjenocid në aktpadi.
Siç u lajmërua nga Gjykata Ndërkombëtare për Krime në ish-Jugosllavi, ICTY, vizitat e Trupit Gjykues në Srebrenicë dhe zonat përreth, që filluan më 4 qershor, do të zgjasin pesë ditë.
Trupi gjykues konsiston nga gjyqtari kryesues Ogon Kwon nga Korea Jugut, gjyqtarët Howard Morisson nga Anglia dhe Mlevill Baird nga Trinidad dhe Tabago, si dhe gjyqtarja Flavia Lattanzzi nga Italia, që është gjyqtare rezervë. Ata shoqërohen nga përfaqësues të prokurorisë dhe avokatëve mbrojtës.
Vizitat në lokacionet ku janë kryer krimet e përshkruara në aktpadi, janë praktikë e zakonshme e Tribunalit të Hagës, por nuk janë të detyrueshme.
Kjo është hera e dytë gjatë gjyqit të Karadzicit që Trupi Gjykues ka vizituar Bosnjën. Në maj të vitit 2011, gjyqtarët vizituan vendndodhjen e krimeve në rajonin e Sarajevës.
Karadzici akuzohet për gjenocid të më shumë se 7,000 burrave myslimanë nga Srebrenica, që u vranë nga forcat nën komandën e tij, pas rënies së enklavës së mbrojtur të OKB-së, më 11 korrik 1995.
Për më tepër, aktpadia e akuzon Karadzicin për persekutimin e boshnjakëve dhe kroatëve në gjithë Bosnjën dhe Hercegovinë, terrorizim të popullatës vendore në Sarajeve me sulme artilerie dhe snajperësh për një kohë të gjatë, dhe marrjen pengë të paqeruajtësve të OKB-së gjatë luftës në Bosnjë.
Gjyqi filloi në fund të tetorit 2009. Prokurorët përfunduan prezantimin e provave kundër Karadzicit, në fund të majit të këtij viti.
Karadzici, i cili po e përfaqëson vetë veten në gjyq, do të fillojë me paraqitjen e provave të avokatëve mbrojtës më 16 tetor.
Duke dëshmuar në gjyqin e Radovan Karadzicit, gjatë javës së fundit të shkurtit, dëshmitari tha se Karadzici ishte komandanti suprem i Ushtrisë së Republikës Srpska, dhe si i tillë dha urdhrat për ta bërë situatën në Srebrenicë “të padurueshme”.