Dëshmitari i parë i prokurorisë në gjyqin për krime të kryera në Sarajevë tha se u burgos në spitalin në Jagomir, bashkë me djalin e tij, që pastaj u mor dhe vra në qershor të vitit 1992.
Dëshmitari Ibro Pandzic tha se më 19 qershor, 1992, boshnjakët nga lagjja Nahorevo në Sarajevë u mblodhën para qendrës së komuniteteve, ku i pandehuri, Goran Saric, iu foli.
“Shkuam në qendrën e komuniteteve, ku na foli Goran Saric, mendova se ishte komandant i policisë ushtarake. Pastaj morën rreth 100 prej nesh në spitalin në Jagomir. Na vunë në dy dhoma. Hoqëm rripat dhe lamë dokumentet dhe paratë”, tha Pandzic.
I pyetur nga mbrojtja se si e dinte që personi që iu foli përballi qendrës së komuniteteve në Nahorevë ishte Sarici, dëshmitari u përgjigj se e kishte takuar më parë.
Sarici akuzohet, si shefi i policisë në komunën serbe Centre në Sarajevë, se ka marrë pjesë në sulmin ndaj civilëve në Nahorevë, Poljine dhe lagje të tjera në Sarajevë.
Ai akuzohet se ka urdhëruar të gjithë burrat nga Nahoreva të vinin në qendrën e komuniteteve më 19 qershor 1992, dhe se rreth 100 boshnjakë u çuan nga atje në ndërtesën e spitalit në Jagomir, dhe u burgosën aty ilegalisht.
Në padi përmendet se në të njëjtën ditë, Sarici urdhëroi pjesën tjetër të popullatës joserbe të dorëzohej, pas të cilës rreth 200 gra, fëmijë dhe të moshuar, u morën me forcë në territorin e kontrolluar nga Ushtria e Bosnjës dhe Hercegovinës.
Pandzici tha se u mor nga spitali në Jagomir më 22 qershor 1992, dhe se ndërsa po dilte nga ndërtesa e pa edhe një herë të pandehurin Saric, i cili tha se disa persona “do të rrinë në spital për t’u marrë në pyetje edhe për disa orë të tjera”.
“Rreth 60 për qind prej nesh u çuan në Breka [Lagje në Sarajevë]. Më vonë mësova se një grup nga ata që ndenjën u çuan në Vogosca, dhe grupi tjetër ishte ekzekutuar në Skakavac. Në atë grup ishte djali im, vëllai, dy kushërinj të mi... Në total tetë anëtarë të familjes”, tha dëshmitari.
Pandzici tha se djali i tij ishte i mitur kur u vra dhe se eshtrat e tij u gjendën bashke me të vrarët e tjerë, në vitin 2000.
“Një fqinj më tha se djali im u vra në Radovë, ishte djegur dhe varrosur. Sidoqoftë, nuk me tha kurrë se kush e vrau”, tha dëshmitari.
Sulmi në Nahorevë, tha dëshmitari, filloi më 12 qershor 1992, kur shtëpitë e vëllait të tij dhe boshnjakëve të tjerë u bombarduan.
Gjyqi është caktuar të rifillojë më 4 qershor, ku do të merren në pyetje dy dëshmitarë të prokurorisë.