Një dëshmitare e Prokurorisë së Bosnjës dhe Hercegovinës, në gjyqin e Jasko Gazdicit, ish-anëtar i Ushtrisë së Republikës Srpska, pohon se një person i cili u identifikua si “Jasko” e përdhunoi në gusht të vitit 1992.
Në dëshminë para Gjykatës së Lartë të Bosnjës dhe Hercegovinës, dëshmitarja e mbrojtur “C”, tha se jetonte në Foçë me bashkëshortin e saj dhe dy fëmijë të mitur, kur forcat serbe morën kontrollin e qytetit, në prill të vitit 1992.
Dëshmitarja tha se bashkëshorti dhe vjehrri i saj u arrestuan dhe u morën në burg në Foçë, bashkë me burra të tjerë joserbë.
Në gusht të vitit 1992, sipas dëshmitares “C”, dy ushtarë të armatosur erdhën në shtëpinë e saj dhe e morën, bashkë me dëshmitaren e mbrojtur “J”, në një shtëpi në fshatin Miljevina, dhe më pas në një apartament afër sallës së sporteve “Partizani”
“Aty na lanë me tre ushtarë. Njëri prej tyre tha se e kishte emrin Jasko dhe se babai i tij ishte mysliman. Folëm se si gratë myslimane ishin përdhunuar dhe burrat ishin vrarë. Tha se burri im mund të ishte i vdekur”, tha dëshmitarja “C”.
Dëshmitarja shtoi se pas një ore bisedë, burri që quhej Jasko e mori në një dhomë tjetër.
“Më shtyu në krevat. Iu luta,i thashë: “jo, mos, mos”. Ai hyri dhe doli nga dhoma disa herë, dhe më në fund tha se duhej ta bënte. Më zhveshi fustanin dhe më përdhunoi. Arma ishte pranë krevatit... Filloi të më puthte, por unë nuk mundja... Pastaj bëri çfarë donte”, tha dëshmitarja C. Më vonë, shtoi “C”-ja, Jasko shkoi për të fjetur, ndërsa ajo ndenji ulur gjithë natën, duke dëgjuar në dhomën tjetër dëshmitaren “J”, duke qarë.
Jasko Gazdic, ish-anëtar i Ushtrisë së Republikës Srpska, ka qenë i arrestuar që prej vitit të kaluar. Padia kundër tij u ngrit në tetor të vitit 2011 dhe u deklarua i pafajshëm për të gjitha akuzat, një muaj më vonë.
Gjyqi i Gazdicit filloi më 30 nëntor të vitit të kaluar dhe që atëherë, tre dëshmitarë të Prokurorisë kanë dhënë dëshmitë e tyre. Prokuroria e akuzon Gazdicin për përdhunim të disa grave boshnjake, të cilat janë mbajtur në sallën e sporteve “Partizani” në Foçë, nga fillimi i prillit 1992, deri në fund të marsit 1993.
Padia e akuzon Gazdicin se ai vinte në apartamentet dhe sallën e sporteve “Partizani”, ku mbaheshin civilë, dhe në raste të ndryshme, ka marrë me vete gra, duke përfshirë edhe vajza të mitura.
Dëshmitarja “C” dëshmoi gjithashtu se ditën pas përdhunimit, Jasko dhe dy ushtarë i thanë asaj të largohej nga qyteti, ose do ta vrisnin. Bashkë me krushqit dhe fëmijët, ajo u nis për Mal të Zi, me ndihmën e një fqinji serb. Dëshmitarja tha se më në fund e pa bashkëshortin e saj, dy vjet më vonë, pasi ai ishte liruar nga burgu, në vitin 1994.
“Ende shikoj ëndrra, ankthe rreth përdhunimit... gjithmonë përdhunimi”, tha “C”-ja, duke shtuar se ende merr trajtim për traumën që ka kaluar.
Gjyqi do të vazhdojë më 8 shkurt.
This article is Premium Content. In order to gain access to it, please login to your account below if you are already a Premium Subscriber, or subscribe to one of our Premium Content packages.
Our Premium Service gives you access to exclusive content published on Balkan Insight, including analyses, investigations, comments, interviews and more. Subscribe to Balkan Transitional Justice Premium or to Full Premium Access and get unparalleled in-depth coverage of the Western Balkans.
If you have trouble logging in or any other questions regarding you account, please contact us