Në gjyqin për krime lufte në Sisak, të mërkurën, ish-ushtari kroat Alen Radic dëshmoi se dëgjoi të qarat e të burgosurve që po rriheshin në burgun ku ishte roje.
Duke dëshmuar në gjyqin e Vlardimir Milankovicit, zëvëndëskomandanti i policisë gjatë kohës së luftës, në zonën e Sisakut, dhe Drago Bosnjakut, ish-anëtar i njësisë së policisë speciale në Sisak “Ujqërit”, Radici tha se kishte parë civilë që po i largonin nga burgu, të cilët nuk i pa më kurrë. Nuk dinte të thoshte se çfarë ndodhi me ta.
Milankovici akuzohet se ka lejuar, inkurajur dhe ka dështuar të hetojë torturat fizike dhe psikologjike, burgimin e paligjshëm dhe poshtërimin e civilëve serbë të Kroacisë, në zonën e Sisakut, nga korriku i vitit 1991 deri në qershor 1992.
Ai akuzohet gjithashtu se ka torturuar personalisht dhe ka urdhëruar arrestimin e paligjshëm të një numri të madh civilësh serbë nga Sisaku, që rezultoi me vdekjen e 24 personave.
Bosnjaku paditet për organizimin dhe udhëheqjen e një grupi që burgosi dhe torturoi civilët serbë, që dyshohen se kanë vrarë tetë nga 24 viktimat që janë të përmendur në aktpadi.
Radici tha se ishte në detyrë roje më 16 shtator 1991, natën kur Ljubica Solar u vra. Ai dëgjoi të shtënat, por nuk e di se kush qëlloi dhe e vrau vajzën.
Ljubica Solar ishte një vajzë 19-vjecare nga Sisaku, vdekja e pashpjeguar e të cilës u bë simbol publik i pavullnetit të gjyqësorit lokal për të hetuar krimet e luftësë të kryera nga forcat kroate në Sisak.
Ljubica ishte në apartamentin e të dashurit të saj atë natë, kur dikush qëlloi nga dritarja, duke e lënë të vdekur. Asnjë hetim i plotë nuk është bërë për rastin dhe askush nuk është gjykuar.
Radici shpjegoi hierarkinë e njësisë së policisë speciale “Ujqërit”, duke thënë se komandant ishte Jadranko Garbin, dhe zëvëndësi i tij ishte Drago Bosnjak. Eprorët e tyre ishin Djuro Brodarac dhe Vladimir Milankovic.
Jadranko Garbin vdiq në një aksident rrugor, gushtin e vitit 1992.
Milankovici dhe Bosnjaki u arrestuan më 20 qershor të vitit të shkuar, bashkë me Djuro Bordaracin, komandant policie gjatë kohës së luftës në Sisak dhe zyrtar me influencë në ish-partinë qeverisëse, Bashkimi Demokratik Kroat, HDZ.
Më 13 qershor 2011, Brodarac vdiq gjatë mbajtjes në paraburgim nga një atak në zemër, që përfundoi rastin e tij.
Ata u arrestuan vetëm dhjetë ditë para se Kroacia të përfundonte negociatat për anëtarësim në BE.
Aktpadia u hodh pas presioneve të mëdha nga BE-ja, që në mënyrë jozyrtare tha se Kroacia nuk mund të përfundojë negociatat për anëtarësim në BE pa u hetuar krimet në Sisak.
Gjyqi do të vazhdojë më 9 korrik.