Në gjyqin për krime lufte në Sisak të mërkurën, dëshmitarët e prokurorisë dëshmuan se si anëtarë të familjeve të tyre u zhdukën, pasi u arrestuan nga policia kroate më 1991.
Marijanka Sesljaga Spanovic dëshmoi se më 6 shtator 1991, dy burra në uniformë, që thanë se ishin policë, erdhën në shtëpinë e familjes Spanovic në Sisak.
Dëshmitarja tha se ata morën bashkëshortin e saj Rade në një furgon të bardhe, me pesë ose gjashtë burra të tjerë me uniforma që ishin brenda, dhe se nuk e pa më kurrë bashkëshortin e saj.
Sesljaga Spanovic tha se ka hapur gjyq ndaj shtetit në vitin 2003 duke kërkuar 400,000 kuna [rreth 50,000 euro] kompensim për humbjen e saj dhe insiston në këtë kërkesë.
Gjatë seancës dëgjimore të mërkurën, Dragoljub Rajsic dëshmoi për babin e tij Dragan, i cili u zhduk më 1991.
Dëshmitari tha se babi i tij u mor nga shtëpia e familjes së tyre në qendër të Sisakut, në një vend afër stacionit të radios, i cili po ruhej nga policia.
Policët i patën thënë Dragoljubit më vonë se “tre burra në uniforma të ndryshme, një në uniformë ushtarake, tjetër të policisë dhe një civil i tretë në veshje civile” morën babin e tyre.
Dragoljub Rajsic nuk mësoi kurrë se kush ishin këta persona.
Ljuban Crljenica dëshmoi se shtëpia e tij u kërkua në vitin 1991 nga policët kroatë, dhe se u dërgua në një stacion policie, por u lirua më pas.
Dy ish-zyrtarë të lartë të policisë janë në gjyq për krime lufte në Sisak.
Vladimir Milankovic, zëvendëskomandant i policisë gjatë kohës së luftës në zonën e Sisakut, akuzohet se ka lejuar, inkurajuar dhe dështuar të hetojë torturat fizike dhe psikologjike, burgosjen e paligjshme dhe poshtërim të civilëve serbë të Kroacisë në zonën e Sisakut nga korriku 1991 deri në qershor të vitit 1992.
Ai akuzohet gjithashtu se ka torturuar personalisht dhe ka urdhëruar arrestimin e paligjshëm të një numri të madh civilësh serbë nga Sisaku, që rezultoi në vdekjen e 24 personave.
Bosnjak është në paraburgim dhe akuzohet se ka organizuar dhe udhëhequr grupin e njësisë special të policisë “Ujqërit”, të cilët kanë marrë peng dhe torturuar civilë serbë dhe dyshohen se kanë vrarë tetë nga 24 viktimat e përmendura në aktpadi.
Gjyqi do të vazhdojë më 4 shtator.