Anëtarë të familjes Pandzic dëshmuan në gjyqin për krime lufte të kryera në Sarajevë, se si i pandehuri, Goran Saric, mori Zahid Pandzicin, i cili nuk u pa më kurrë.
Armin Pandzic, i cili ishte dhjetë vjeç në vitin 1992, dëshmoi se dy burra iu afruan me uniforma kamuflazhi dhe i thanë të gjente xhaxhin e tij Zahid Pandzic sepse “Goran Zaric kishte ardhur për ta takuar”.
“Shkova dhe thirra xhaxhin. I pashë këta persona që i thoshin të shkonte me ta sepse duhet të jepte një deklaratë. Nuk e pashë më kurrë xhaxhanë tim,” tha Armin Pandzic.
Saric, ish-komandant policie në komunën serbe Centre në Sarajevë, akuzohet se ka marrë pjesë në sulmin ndaj civilëve jo-serbë në Nahorevë, Poljine dhe lagje të tjera në Sarajevë.
Ai akuzohet se më 19 qershor, 1992, ka lëshuar urdhrin që të gjithë burrat në lagjen Nahorevo të vijnë në qendrën lokale komunitare dhe rreth 100 boshnjakë u morën nga aty dhe u kyçën në ndërtesën e spitalit në Jagomir.
Në të njëjtën ditë, thuhet në aktpadi, Saric urdhëroi që pjesa tjetër e popullatës jo-serbe të dorëzohej, pas së cilës rreth 200 gra, fëmijë dhe të moshuar u dërguan me forcë në territorin e kontrolluar nga Ushtria e Bosnjë dhe Hercegovinës.
Bashkëshortja e Zahid Pandzicit, Amila, konfirmoi se në vitin 1992 Armin Pandzic erdhi në shtëpi për t’i thënë Zahidit se Goran ose Zoran Saric kishte ardhur për ta takuar”
“Bashkëshorti im shkoi dhe nuk e kam parë më kurrë që atëherë. E di që u vra dhe u varros në Radave”, tha dëshmitarja.
Gjykata mori në pyetje Aldijan Pandzicin, djalin e Zahid Pandzicit, i cili tha se kujton babin e tij që u hipën në një golf të kuq.
“Kushëriri Armin erdhi dhe tha se Goran ose Zoran Saric, nuk e mbaj mend emrin, po kërkonte babain tim. Babi shkoi (..) E dimë që u vra, por ende nuk kemi gjetur eshtrat e tij,” tha dëshmitari.
Gjyqi do të vazhdojë më 13 gusht.