Lajm 17 Jul 12

Gjyqi i Monika Ilicit: Tortura me Shishe të Thyer

Një dëshmitar i prokurorisë tha se e pandehura për krime lufte, Monika Karan - Ilici, i gërvishti dorën me shishe të thyera, ndërsa mbahej në kampin e burgimit në Luka në Brcko.

Raporti i Drejtësisë
BIRN
Sarajevë

Duke dëshmuar para Gjykatës Bazë në Qarkun e Brckos, dëshmitari Marko Margic tha se u soll në burgun Luka më 11 qershor 1992, dhe se pasi refuzoi të bënte aktivitete të detyrueshme pune, u mor nga hangari ku mbaheshin të burgosurit dhe u dërgua në një zyrë aty afër.

“Monika ishte e ulur në zyrë. Kishte një shishe të thyer në dorë. Filloi të më gërvishte duart me të, por nuk më preu. Mu duk se ishte e dehur”, tha Margici.

Dëshmitarja Ramiza Fetahovic i tha gjykatës se u mor nga spitali në Brcko, ku punonte si infermiere, në kampin e burgimit në Luka. Ajo tha se e pandehura e keqtrajtoi të pandehurin, të cilin e quajti Ado.

“E pashë Monikën që qëndronte sipër tij dhe e godiste në pëllëmbë të duarve me shishe të thyer, ndërsa ai ishte i shtrirë në tokë. Më vonë të burgosurit sollën kripë, që ia hodhën mbi duar. Ado po ulëriste, ndërsa ata qeshnin”, tha Fetahovici.

Aktpadia, e cila përmban tetë pikë akuza, e akuzon Monika Karan - Ilicin, serbe të Bosnjës, për torturim, trajtim çnjerëzor dhe abuzim mendor të boshnjakëve në kampin e përqendrimit në Luka dhe në stacionin e policisë në Brcko, nga fillimi i majit deri më 10 qershor 1992.

Sabahudin Islamovici dëshmoi se e shihte Karan-Ilicin shpesh gjatë burgimit të tij dymujor.

“Të pandehur të tjerë më thanë se kishte bërë çfarëdo gjërash. Ndonjëherë hynte në hangar, ku po na mbanin dhe na shante”, tha Islamovici.

Sipas Islamovicit, një nga të burgosurit, Amir Didici, u rrah më shumë se gjithë të tjerët deri në pikën kur “ishte e pamundur t’i njihje fytyrën”.

“Monika erdhi në hangar një herë, goditi sfungjerin që po mbulonte Amirin dhe e pyeti: ‘Si bëhet që je akoma gjallë’”, tha Islamovici, duke shtuar se të gjithë të burgosurit torturoheshin dhe abuzoheshin në zyrat afër hangarit.

Dëshmitari Sefik Hasanovic konfirmoi gjithashtu se Amir Didici u rrah më shumë se gjithë të tjerët dhe se i kishte treguar se e pandehura dhe ushtarë të tjerë e patën rrahur.
 
“Një herë madje i luti të burgosurit e tjerë ta ndihmonin të vriste vetëm, ngaqë nuk mund ta duronte më dhimbjen”, tha dëshmitari.

Ai tha se Karan-Ilici erdhi një herë në hangar, kishte pistoletë dhe çantë me vete dhe iu tha të hiqnin çdo gjë nga xhepat, duke i thënë se “kjo nuk ishte plaçkitje, por kontribut për Ushtrinë Serbe”.

“M’i mori të gjitha dokumentet. U trishtova pa masë, kur grisi një foto të vajzës sime, duke thënë se nuk më nevojitej më”, tha Hasanovici.

Gjyqi do të vazhdojë më 3 shtator.

blog comments powered by Disqus