Në argumentet e saj hyrëse, prokuroria e Hagës parashtroi gjashtë qëllimet strategjike që lidershipi serb i Bosnjës donte që Mladici të arrinte.
Në ditën e parë të gjyqit të ish komandantit të ushtrisë serbe të Bosnjës, Ratko Mladic, i cili akuzohet për krime lufte dhe krime ndaj njerëzimit, duke përfshirë gjenocidin në Srebrenicë, prokuroria tha se Mladic ishte në krye të implementimit të qëllimeve strategjike që lidershipi serb i Bosnjës i asaj kohe kishte caktuar në maj të vitit 1992.
Qëllimi ishte ndarja e popullatës serbe dhe jo-serbe në Bosnjë dhe vendosja e një korridori që do të lidhte pjesët perëndimore dhe lindore serbe i njohuri si korridori Semberija-Krajina.
Qëllime të tjera strategjike ishte të sigurohej që lugina e lumit Drina, afër kufirit me Serbinë të pastrohej “etnikisht”, duke caktuar kufinj në lumejtë Una dhe Neretva, me force, si dhe spastrimi etnik dhe ndarja e Sarajevës.
“Mos vini synime që të dështojmë. Kam menduar gjatë për këto synime dhe i diskutova me rrethin e miqve më të afërt”, tha Mladic në kohën pasi mori urdhërat.
Aktpadia e akuzon Mladicin për gjenocid në Srebrenicë në vitin 1995, dhe disa komuna të tjera në Bosnjë në vitin 1992. Akuzohet gjithashtu për dëbimin e boshnjakëve dhe kroatëve nga territoret nën kontrollin serb, terrorizim të qytetarëve në Sarajevë me bombardime dhe snajper, si dhe marrjen peng të ushtarëve ndërkombëtarë në vitin 1995.
Prokurori Dermot Groome, foli për rolin e Ushtrisë së Popullit Jugosllav, JNA, duke theksuar se pavarësisht parimit të përgjithshëm për të mbrojtur të gjitha kombësitë, zgjodhi të mbrojë “palën serbe”.
“JNA i lejoi njësitë e Zeljko “Arkan” Rasnatovicit, Tigrat, të hynin në Bijeljine dhe të shkatërronin qytetin”, tha Groome.
Para se të emërohej kreu i Ushtrisë i Republika Srpska më 12 maj, 1992, Mladic ishte zëvendës komandanti i Trupave të 9të të JNA-së, të vendosur në atë kohë në qytetin kroat, Knin.
Groome foli për “përdhunimin sistematik të grave dhe burrave”, duke përmendur disa nga ndërtesat e burgimit si Karamani, Qendra e Shkollës së Mesme, dhe Gjimnazi “Partizani” në Focë.
“As nuk pashë se kush hyri dhe doli. Vranë nënë time, vëllain, dhe deri në atë ditë më shumë se 50 veta prej tyre më kishin përdhunuar. Shkulja flokët dhe përsërisja: Cfarë po na bëjnë?”, prokurori lexoi pjesë të dëshmisë të R.M që do të jetë pjesë e provave.
Një nga qëllimet strategjike të cilat Mladici duhet të arrinte ishte ndarja e Sarajevës në dy pjesë, njëra anë në të cilën do të jetonin serbët, dhe pjesa tjetër ku do të jetonte popullata jo-serbe.
“Mladic e rrethoi hyrjen në qytet. Kontrolloi se kush hynte dhe dilte. Sarajevo ishte e bllokuar nga të katërta anët dhe Mladici vetë e përshkroi si kurth minjsh”, tha Groome.
Përsa i përket rrethimit të Sarajevës, i cili zgjati 1, 425 ditë, prokurori Groome tha se Mladic kishte blerë bomba të modifikuara avionësh dhe i hodhi në qytetet. Bomba të modifikuara avionësh, shpjegoi prokurori, janë të njohura sepse nuk janë precize.
“Nuk ka dyshim se Mladici kontrollonte bombardimin e Sarajevës. Në vitin 1994 ka thënë se më shumë bomba ishin hedhur në atë sekondë se gjatë gjithë luftës deri në atë moment,” tha Groome.
Prokurori foli gjithashtu për sulmet me snajper, duke dhënë shëmbuj të një rruge përgjatë lumit Miljacka, që mori nofkën “Rrugica e Snajperve”. Një ish gjuajtës me snajper do të dëshmojë në këtë gjyq, tha Groome, dhe do të konfirmojë se kishte urdhëra për të vrarë cdo gjë që lëviste në Sarajevë.
“Nermin Divric që ishte shtatë vjec në kohën po kthehej në shtëpi me nënën dhe motrën e tij, kur snajperi e qëlloi dhe vrau”, tha Groome.
Nëna e tij nuk e dintë që djali i ishte vrarë, por mendoi se po ulej sepse kështu e kishte mësuar të bënte sa herë që fillonin gjuajtjet e armëve.
Sipas prokurorit, vetë Mladici tha se me snajperët dontë të ndalonte transportin, dhe se sa herë që shkonte në Sarajevë “ndalonte dhe vriste dikë gjatë rrugës”.
Duke folur për kampet dhe objektet e burgimit, prokurori tha se në të gjithë Bosnjën shërbyen për të burgosur dhe torturuar popullatën jo-serbe.
“Vende të vuajtjeve të mëdha, krimeve, vrasjeve, përdhunimeve, të pamjaftueshme për të mbajtur kafshë ferme, pa menduar për qëniet njerëzore,” tha prokurori, duke përmendur kampet si Omarska, Trnopolje, Batkovic, Kula, shkolla fillore në Kalinovik, Susica në Vlasenica, dhe shkolla Veljko Vlahovic në Rogaticë.
“Në Keraterm, në dhomën tre, në një kohë kishte 570 persona, si sardele.. muret ishin të lagështa nga djersa e tyre dhe për të qëndruar gjallë të burgosurit lëpnin muret,” citoi prokurori nga dëshmia e një ish të burgosuri.
Prokuroria thotë se do të vërtetojë se anëtarët e forcave paqeruajtëse të OKB-së janë marrë peng midis 26 majit dhe 19 qershorit, 1995. Groome tha se forcat e Mladicit morrën peng 200 anëtarë të forcave paqeruajtëse, disa prej tyre të lidhur, rrahur, ose kërcënuar.
Argumentet hyrëse do të vazhdojnë më 17 maj, kur prokuroria do të flasë për gjenocidin në Srebrenicë.