Lajm 21 Aug 12

Gjyqi i Mladicit Fillon Pas Pushimit të Verës

Sarajeva ishte nën bombardim konstant dhe të rëndë, tha Aernout Van Lynden, ish-gazetar, ndërsa gjyqi i ish-shefit të ushtrisë serbe të Bosnjës, Ratko Mladic, fillon.

Marija Ristic
BIRN
Beograd
Aernout Van Lynden, ish gazetar i Sky News

Pas pushimit të verës, gjyqi i ish-komandantit të Ushtrisë së Republikës Srpska, Ratko Mladic, ka rinisur në Tribunalin e Hagës, ICTY, me dëshminë e Aernot Van Lynden, ish-korrespondent i Sky News, i cili raportoi nga Sarajeva, më 1992.

Van Lynden tha se gjatë kësaj periudhe, Sarajeva ishte nën kontrollin e plotë të forcave serbe të Bosnjës.

“Nuk kishte rrymë, të gjitha dyqanet ishin të mbyllura. Nuk kishte ushqim. Çdo gjë varej nga ‘vullneti i mirë’ i forcave serbe të Bosnjës”, tha Van Lynden.

“OKB-ja po jepte ushqim për qytetin përmes aeroportit të Sarajevës. Por, kishte ditë kur edhe kjo ishte e pamundur”, shpjegoi ai.

Gjatë seancës së gjykatës të martën, prokurori paraqiti intervistat e Van Lyndenit me Mladicin.

Në atë kohë, Mladici tha se nuk kishte frikë nga ICTY dhe se OKB-ja duhet të pranojë të drejtën e serbëve të Bosnjës të mbrojnë veten.

“Do të mbrojmë veten deri sa të vdesim, sepse nuk kemi asnjë zgjidhje tjetër”, tha Mladici, në një intervistë të tij me Van Lynden, që u filmua në 1992 në kodrat rreth Sarajevës.

Gjatë marrjes në pyetje, avokati i Mladicit, Branko Lukic, e pyeti dëshmitarin nëse boshnjakët përdorën infrastrukturën civile për qëllime ushtarake, gjatë vitit 1992.

Dëshmitari konfirmoi se po, duke thënë se “kjo ishte e pritshme, duke qenë se qyteti ishte nën rrethim”.

Lukic vuri në pyetje gjithashtu raportet e Van Lyndenit në të cilat thuhet se vetëm forcat serbe të Bosnjës po bombardonin terrenin.

“Po, është e vërtetë se kam thënë që serbët e Bosnjën po bombardonin qytetin. Dëgjova se boshnjakët kishin në shënjestër civilët gjithashtu, por nuk mund ta konfirmoja këtë. Nuk e pashë me sytë e mi”, shpjegoi Van Lynden.

Mladici, i cili u arrestua në maj të vitit të shkuar, deklaroi se është i pafajshëm ndaj akuzave për gjenocid, krime ndaj njerëzimit dhe dhunim të ligjeve dhe zakoneve të luftës gjatë konfliktit në Bosnjë, midis viteve 1992 dhe 1995.

Ai akuzohet për gjenocid në Srebrenicë në vitin 1995 dhe në disa komuna të tjera boshnjake, në vitin 1992.

Mladic akuzohet gjithashtu për dëbimin e boshnjakëve dhe kroatëve nga komunat që ishin nën kontrollin e serbëve të Bosnjës, duke terrorizuar qytetarët e Sarajevës me një fushatë bombardimesh dhe snajperësh dhe duke marrë peng ushtarët ndërkombëtarë në vitin 1995.

Gjyqi do të vazhdojë më 22 gusht.

 

blog comments powered by Disqus