Dëshmitari i pestë i prokurorisë në gjyqin e ish-komandantit serb të Bosnjës, Ratko Mladic, tregoi se si i mbijetoi ekzekutimit masiv në fermën ushtarake në Branjevë, në vitin 1995.
![]() |
| Eelco Coster, ish-anëtar i Batalionit Holandez të Kombeve të Bashkuara |
Para pushimit të verës, gjyqi i Ratko Mladicit, ish-gjenerali i Ushtrisë së Republikës Srpska, vazhdoi të enjten dhe të premten me dëshmitë e një dëshmitari të mbrojtur, dhe të ish-anëtarit të batalionit holandez, Eelco Koster.
Duke dëshmuar të enjten, dëshmitari i mbrojtur, me pseudonimin RM-255, tha se më 13 korrik 1995, ushtarët serbë të Bosnjës e ndanë nga familja e tij në Potocari dhe e çuan në ndërtesën e shkollës në Bratunac, ku qëndroi për dy ditë.
Më 16 korrik, ushtarët serbë të Bosnjës i çuan boshnjakët me autobus në fermën ushtarake në Branjevë. Sipas dëshmitarit, të burgosurit u urdhëruan të viheshin në rresht, dhe pastaj u qëlluan me automatikë. RM-255 nuk u qëllua, por u rrëzua me trupat e vdekur dhe qëndroi ashtu derisa të shtënat u ndalën.
Dëshmitari tregoi se më vonë arriti të lirojë duart dhe vrapoi, bashkë me katër të mbijetuar të tjerë. Pasi ecën për disa ditë, u dorëzua tek policia ushtarake e Ushtrisë Serbe, që e transferoi në kampin e përqendrimit Batkovic, afër Bijelinës. U lira pas pesë muajsh.
Sipas aktpadisë së ICTY-së, forcat serbe të Bosnjës të komanduara nga Mladici, vranë më shumë se 1,000 boshnjakë në fermën në Branjevë, më 16 korrik 1995.
Një ish-anëtar i Batalionit holandez të Forcave Mbrojtëse të OKB-së Eelco Koster, dëshmoi të premten për përpjekjet e tij për të ndaluar ndarjen e burrave nga gratë dhe fëmijët në kampin e refugjatëve në Potocar, afër qytetit të Srebrenicës, në korrik të 1995-ës.
Koster tha se foli me Mladicin më 12 korrik dhe u përpoq ta bindte që të lejonte UNPROFOR-in të merrej me evakuimin e refugjatëve boshnjakë, porse Mladici refuzoi duke i thënë dëshmitarit “Nëse më kundërshton, do të kesh probleme”.
“Arrita të shpëtoj një djalë 16-vjeçar që i ishte marrë të ëmës. Nëna e tij po qante. Iu bërtita ushtarëve serbë të Bosnjës dhe e sollën tek refugjatët”, shtoi Koster.
Më 15 korrik 1995, ushtria serbe e Bosnjës i ndau refugjatët boshnjakë në Potocar në njërin grup burrat, dhe në tjetrin gratë dhe fëmijët. Pas ndarjes, më shumë se 7000 persona u ekzekutuan në zonat rreth Srebrenicës, nga forcat serbe të Bosnjës.
Koster kujtoi gjithashtu se pa nëntë trupa të vdekur, më 13 korrik, në Potocar.
“Pashë nëntë trupa, në rresht. Pashë se kishin plagë në shpinë nga të shtënat me automatik”, shpjegoi ai.
Sidoqoftë, dëshmitari nuk mund të thoshte nëse burrat e vrarë ishin boshnjakë apo serbë të Bosnjës.
Gjatë marrjes në pyetje, Koster konfirmoi se ishte informuar se “para rënies së Srebrenicës” luftëtarët boshnjakë po merrnin nën kontroll pikat e kontrollit të OKB-së, nga ku gjuajtën mbi forcat serbe të Bosnjës.
Mladici, i cili u arrestua në maj të vitit të shkuar, ka deklaruar se është i pafajshëm ndaj akuzave për gjenocid, krime ndaj njerëzimit dhe dhunim të ligjeve dhe zakoneve të luftës gjatë konfliktit të Bosnjës, midis viteve 1992 dhe 1995.
Gjyqi do të vazhdojë më 21 gusht.