Tribunali i Hagës refuzoi një mocion nga avokati mbrojtës i Radovan Karadzicit, për t’i kërkuar prokurorisë të heqë nga padia të gjitha incidentet, për të cilat nuk arriti të prezantojë “prova të mjaftueshme”.
Gjyqtari kryesues i Trupit Gjykues, O-Gon Kwon, shpjegoi vendimin duke thënë se mocioni i avokatit mbrojtës të ish-presidentit të Republikës Srpska është refuzuar sepse, sipas rregullave të Tribunalit të Hagës, ka mundësi për të refuzuar “vetëm akuza të aktpadisë, jo incidente individuale”.
“Mund të ketë raste në të cilat, edhe pse provat nuk kanë qenë të mjaftueshme në lidhje me disa akuza të vendosura në aktpadi, kjo provë ka qenë në gjendje të mbështesë bindjen për një akuzë të veçantë”, lexohet në shpjegimin e Trupit Gjykues.
Karadzici tha se do të bëjë një mocion më 11 qershor në Tribunalin e Hagës për t’u liruar nga akuzat për gjenocid, krime ndaj njerëzimit dhe dhunim të rregullave dhe zakoneve të luftës, pasi Prokuroria e Hagës përfundoi dëgjimin e evidencave.
Sipas ICTY-s, Karadzici thotë se prokurorët dështuan të vërtetonin se ishte fajtor, në dëgjimin dyvjeçar të provave, i cili përfundoi më 4 maj.
Pritet që prokuroria t’i përgjigjet kërkesës së tij më 13 qershor dhe që Trupi Gjykues do të marrë vendim në një datë më të vonë.
Karadzici akuzohet për gjenocid në Srebrenicë dhe shtatë komuna të tjera në Bosnjë dhe Hercegovinë, për dënimin e boshnjakëve dhe kroatëve nga Bosnja, për terror ndaj civilëve në Sarajevë, dhe marrjen peng të forcave paqeruajtësve të OKB-së, në periudhën midis viteve 1992 dhe 1995.
Fillimi i seancave dëgjimore për mbrojtjen është caktuar të mbahet më 16 tetor. Gjyqi filloi në fund të 2009-ës dhe dëshmitari i parë i prokurorisë së Hagës u ekzaminua në prill të vitit vijues.
Duke dëshmuar në gjyqin e Radovan Karadzicit, gjatë javës së fundit të shkurtit, dëshmitari tha se Karadzici ishte komandanti suprem i Ushtrisë së Republikës Srpska, dhe si i tillë dha urdhrat për ta bërë situatën në Srebrenicë “të padurueshme”.