Prokuroria përfundoi me dëgjimin e provave në gjyqin e Veselin “Batko” Vlahovicit, për krime të kryera në Sarajevë, me leximin e deklaratës së dëshmitares së mbrojtur S2.
Dëshmitarja e mbrojtur S2 nuk mund të dëshmonte personalisht, për shkak të shëndetit të dobët, kështu që prokuroria lexoi deklaratën e saj të dorëzuar Administratës së Policisë Federale në janar të vitit të shkuar.
Në deklaratën e saj, dëshmitarja kujtoi se si më 13 korrik 1992, dy ushtarë dhe një djalë i ri erdhën në apartamentin e saj në Grbavicë ku jetonte me bashkëshortin e saj, vjehrrën dhe kunatin dhe gruan e tij.
Ushtarët morën bashkëshortin dhe kunatin e saj për ta marrë në pyetje, ndërsa i riu qëndroi me gratë. Më pas një nga ushtarët u kthye dhe e mori atë, kunatën dhe vjehrrën në një apartament tjetër, ku i pandehuri Batko i kërcënoi dhe i kërkoi për para dhe flori.
Vjehrra e tyre u çua në një dhomë nga e cila, sipas deklaratës, u dëgjuan të ulëritura, ndërsa Batko mori kunatën në një dhomë tjetër, duke e lënë dëshmitaren me Sasa Baricanin.
Baricanin u dënua në qershor të këtij viti me 18 vjet burgim për krime të kryera në Grbavicë.
“Isha e frikësuar dhe në shok, mendova se do më përdhunonte dhe Sasa më tha që isha me fat që nuk isha në të njëjtën dhomë me Batkon. E dija që Batko dhe njerëzit e tij po përdhunon gra në gjithë Grbavicën”, tha dëshmitarja në deklaratën e saj.
Më pas, ajo u dërgua në një apartament tjetër ku u përdhunua disa herë nga Baricanin dhe një burrë tjetër.
“Po vepronin sikur ishte gjëja më e natyrshme në botë”, tha ajo.
Sipas deklaratës së saj, dëshmitarja u dërgua në një banesë tjetër, ku takoi gratë me emrat Rada dhe Vesna, që i thanë se dikush do ta ndihmonte të largohej nga Grbavica, sepse kishin dëgjuar nga Sasa se donte ta vriste.
“Me ndihmën e një shoku shkolle, Dimsa, u largova nga Grbavica më 20 gusht 1992”, tha S2.
Prokuroria e akuzon Vlahovicin se ka marrë pjesë në vrasjen e disa personave në lagjet Grbavica, Vraca dhe Kovacici në Sarajevë, në 1992. Ai akuzohet gjithashtu se ka marrë pjesë në abuzimin e civilëve boshnjakë dhe kroatë dhe se ka konfiskuar paratë dhe prona të tjera të vlefshme të tyre.
Pas përfundimit të prezantimit të provave nga prokuroria, avokati mbrojtës do të dorëzoj provat më 1 shtator dhe prokuroria do të komentojë në konferencën statusore e caktuar të mbahet më 12 shtator.