Lajm 25 Jun 12

Gjykimi i Mladicit Rifillon më 9 korrik

Tribunali i Hagës, ICTY, tha se dëshmitari i parë i prokurorisë do të dëshmojë më 9 korrik në gjyqin për gjenocid të ish-komandantit të ushtrisë serbe të Bosnjës, Ratko Mladic. 

Denis Dzidic
BIRN
Sarajevë

Edhe pse pala mbrojtëse kërkoi një pushim gjashtë mujor për t’u përgatitur për dëshmitarët e parë, Tribunali i Hagës, ICTY, ka vendosur që gjykimi do të rifillojë në korrik.

“Arsyet e shkruara për vendimin e Trupit Gjykues do të prezantohen në kohën e duhur.

Seancat dëgjimore do të mbahen nga 9 deri më 20 korrik, kohë pas së cilës Tribunali do të mbajë një pushim 3 mujor veror. Trupi Gjykues i ka kërkuar prokurorisë të dorëzojë një listë të re dëshmitarësh deri më 26 qershor, për periudhën kohore midis 9 dhe 20 korrikut, dhe të përfshijë vetëm dëshmitarët që mund të preken më së paku në rast të dështimit për të ruajtur identitetin e tyre,” tha ICTY.

Gjykimi i Mladicit duhet të rifillonte më 25 qershor pasi ishte ndërprerë në maj. Dëshmia e dëshmitarëve është vonuar dy herë, në gjykimin e pritur prej shumë kohësh, për shkak të problemeve të hapjes së provave për palën mbrojtëse.

Mladic, i cili u arrestua në maj të vitit të shkuar, është deklaruar i pafajshëm ndaj akuzave për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve dhe zakoneve të luftës gjatë konfliktit në Bosnjë gjatë viteve 1992 dhe 1995.

Ai akuzohet për gjenocid në Srebrenicë në 1995, dhe në disa komuna të tjera në Bosnjë në vitin 1992. Po ashtu, ai akuzohet gjithashtu për dëbimin e boshnjakëve dhe kroatëve nga komunat që ishin nën kontrollin e serbëve të Bosnjës, për terrorizim të qytetarëve në Sarajevë me bombardime dhe sulme me snajper, dhe marrjen peng të ushtarëve ndërkombëtarë në vitin 1995.

blog comments powered by Disqus