Lajm 28 Nov 12

Gjykimi i Haxhiqit: Dëshmitari rikujton dhunën e përjetuar në Llovas

Gjatë gjykimit të ish-liderit të serbëve të Kroacisë, Goran Haxhiq, një dëshmitar i mbrojtur dëshmoi se si kishte ecur nëpër një fushë të minuar në Kroaci gjatë vitit 1991, duke u shfrytëzuar kësisoj si mburojë njerëzore.

Marija Ristiq
BIRN
Beograd

Dëshmitari i mbrojtur, GH-059, jetonte në fshatin kroat Llovas, kur i njëjti u okupua nga forcat serbe në gusht të vitit 1991.

Ai tha se në fshatin e tij të shtënat e para ishin dëgjuar në tetor të vitit 1991, kur forcat serbe shkatërruan kishën katolike lokale.

Pas okupimit, pjesëtarët e etnisë kroate në fshat u detyruan të mbajnë në duar shirita të bardhë dhe të shënjojnë shtëpitë e tyre me shami të bardha në mënyrë që të mund të dalloheshin nga pjesëtarët e etnisë serbe, tha GH-059.

Ai tha se në tetor dhe nëntor të vitit 1991, një numër i forcave serbe, që kryesisht përbëhej nga vullnetarë të Armatës Popullore të Jugosllavisë (APJ) dhe paramilitarë, hynë në fshat dhe plaçkitën pjesën më të madhe të shtëpive kroate.

Dëshmitari rikujton se si ai dhe kroatët tjerë të burgosur u detyruan nga paramilitarët që të kalojnë nëpër një fushë të minuar.

Ne po ecnim përmes fushës kur dikush tha ‘shiko një tel’. Unë u shtriva, ngjashëm me të gjithë të tjerët. Më pas ndjeva krismën dhe minat teksa eksplodonin’, tha dëshmitari.

‘Më pastaj u detyruam t’i kapim të mbijetuarit dhe t’i vëmë ata në një kamion, me qëllim që të mund të transportoheshin në spitalin që gjendej në anën e qytetit Shid që mbahej nga serbët,’ shtoi ai.

GH-059 tha se ai nuk e din se kush i kishte vendosur minat në fushë dhe shtoi se ai kishte dëgjuar nga një ushtar i APJ-së se armata e kishte bërë këtë teksa po hynte në fshat.

Në qershor, Gjykata Speciale e Beogradit shpalli fajtor për krimet në Lovas 14 burra. Gjykata i shpalli fajtor për vrasjen e 40 civilëve dhe i ndëshkoi ata me 128 vite burgim.

Sipas aktakuzës së Tribunalit për Krime Lufte në ish-Jugosllavi, Goran Haxhiq është përgjegjës për vrasjet në Llovas, si kryetar i qeverisë së Krahinës së vetëshpallur Autonome Serbe të Sllavonisë, Baranjës dhe Sremit Perëndimor, ku ndodhej edhe fshati Llovas.

Prokuroria e Tribunalit pohon se roli i Haxhiqit ishte që të sigurojë largimin e popullatës joserbe nga këto zona dhe t’i ndihmojë serbëve dhe paramilitarëve lokalë në arritjen e këtij qëllimi.

Sipas aktakuzës së Tribunalit, Haxhiqi ishte pjesë e një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale, së bashku me Sllobodan Millosheviqin, Millan Martiqin, Millan Babiqin, Jovica Stanishiqin, Franko Simatoviqin, Vojisllav Sheshelin dhe Zhelko Razhnatoviqin (të njohur si Arkan).

Haxhiqi përballet me 14 vepra të krimeve të luftës, përfshirë përndjekjen, vrasjen dhe torturimin e civilëve joserbë në Kroaci gjatë viteve 1991 dhe 1993.

Seanca gjyqësore do të vazhdojë më 28 nëntor, kur dëshmitari do të merren në pyetje nga pala mbrojtëse.

Disqus

blog comments powered by Disqus

Goran Hadzic at the Hague

Background

Dëshmitarët e Karaxhiqit i fajësojnë ‘myslimanët ekstremistë’ për luftën

Serbët e Bosnjës nuk ishin përgjegjës për shpërthimin e luftës në rajonin e Krajinës në veri të Bosnjës, dëshmuan tre dëshmitarë në gjykimin e Radovan Karaxhiqit.

Karadzici Donte “Gjendje të Padurueshme” në Srebrenicë

Duke dëshmuar në gjyqin e Radovan Karadzicit, gjatë javës së fundit të shkurtit, dëshmitari tha se Karadzici ishte komandanti suprem i Ushtrisë së Republikës Srpska, dhe si i tillë dha urdhrat për ta bërë situatën në Srebrenicë “të padurueshme”.

Buletini ditor