Lajm 07 Jun 12

Freedom House Kritikon Gjyqet e Krimeve të Luftës në Mal të Zi

Gjyqësori i Malit të Zi është ngurrues të procedojë objektivisht krimet e luftës dhe zyrtarët e lartë nuk po hetohen, sipas raportit të Freedom House.

Milena Milosevic
BIRN
Podgoricë

Raporti për Malin e Zi për vitin 2011 është pjesë ë një studimi më të gjerë krahasues të bërë për “vendet në tranzicion” dhe u lëshua të mërkurën nga Freedom House, OJQ me seli në Amerikë.

Përgjithësisht, Mali i Zi klasifikohet si një demokraci gjysmë e konsoliduar. Raporti citon korrupsionin, mungesën e pavarësisë së medias dhe qeverisje demokratike kombëtare, si fushat më problematike.

Gjyqësori i Malit të Zi mori gjithashtu një notë të ulët, sepse nuk ka prova të qarta që reformat e reja gjyqësore u implementuan në mënyrë efektive.

Edhe pse shënon progres në pavarësinë e gjyqësorit, raporti është kritik për gjyqet e krimeve të luftës në vend.

Ai theksoi se në çdo rast të gjykuar në vitin 2010 dhe fillim të 2011, vartësit, dhe jo komandantët, janë paditur.

“Për më tepër, zyra e prokurorisë së shtetit dështoi të hetojë dhe gjykojë zinxhirin komandues”, lexohet në raport.

Freedom House dha gjithashtu një përshkrim të shkurtër të katër gjyqeve të krimeve të luftës që po mbaheshin kur raporti po përgatitej, duke thënë se më shumë se 20 vite pasi kanë ndodhur disa nga krimet e luftës, nuk ka ende vendim final.

Sidoqoftë, ndërkohë, Gjykata e Apelit konfirmoi në prill, lirimin e shtatë ish-policëve dhe oficerëve të ushtrisë jugosllave, të akuzuar për trajtim çnjerëzor dhe torturim të boshnjakëve dhe myslimanëve në Bukovicë, Mal të Zi, gjatë luftës në Bosnjë.

Të pandehurit u liruan sepse “trajtimi çnjerëzor” u penalizua në ligjin malazez në vitin 2003, dhjetë vjet pas ngjarjeve të dyshuara në Bukovicë. E drejta për të apeluar vendimin e gjykatës nuk ekziston.

Raporti konsideron gjithashtu se nuk ka shumë gjasa që zyrtarët e lartë do të dënohen ndonjëherë, ose paditen për krime lufte. Sipas Freedom House, kjo reflekton ngurrimin e gjyqësorit malazez për të proceduar rastet e krimeve të luftës, në mënyrë objektive.

Freedom House është një organizatë joqeveritare me bazë në Amerikë, që monitoron qeveritë në botë, dhe promovon demokracinë dhe të drejtat e njeriut.

blog comments powered by Disqus