Ka filluar në Zagreb rigjykimi i dy ish-ushtarëve kroatë të akuzuar për vrasjen e tri grave në qytetin Novska në Kroacinë qendrore, në vitin 1991.
Zeljko Belina dhe Dejan Milic, ish-anëtarë të Brigadës së Parë Mbrojtëse të ushtrisë kroate, e njohur si “Tigrat” akuzohen për vrasjen e Vera Mileusnicit, vajzës së saj Goranka, dhe fqinjës së tyre, Blazenka Slabak.
Petar Mileusnci, bashkëshorti i Verës dhe baba i Gorankës, u qëllua me armë, por iu mbijetoi plagëve.
Sipas aktpadisë, më 18 dhjetor 1991, disa ushtarë hynë në familjen e Mileusicit në qytetin Novska.
Ushtarët torturuan dhe vranë Slabakun, Verën dhe Goranka Mileusnicin. Vranë Petarin me armë në fytyrë, por ai arriti të arratisej dhe të mbijetonte.
Pesë autorët e krimeve u arrestuan dhe gjykuan për vrasje në gjykatën ushtarake në 1992. Në fund të vitit 1992, ata u liruan sipas Ligjit për Amnisti në Kroaci.
Në vitin 2008, gazeta ditore kroate, Novi List publikoi historinë për rastin Mileusnic.
Dy vjet më vonë, në shtator të vitit 2010, gjykata e kantonit në Sisak gjykoi katër ish-anëtarët e “Tigrave”, Zeljko Belina, Dejan Milic, Ivan Grgic dhe Zdravko Plesec, për atë krim, por këtë herë u akuzuan për krim lufte, dhe jo vrasje.
Gjykata i liroi të katër burrat, duke vendosur se rasti ishte “res judicata”- që do të thotë se rasti nuk mund të gjykohej përsëri në të njëjtën gjykatë, ose në një tjetër.
Sidoqoftë, Gjykata Supreme në Kroaci e rrëzoi vendimin për Belinën dhe Milicin dhe e dërgoi rastin për rigjykim, që filloi të mërkurën në Gjykatën e Kantonit në Zagreb.
Trupi Gjykues, i kryesuar nga gjyqtari Marijan Garac, refuzoi kërkesën e prokurorisë që Belina dhe Milic të mbaheshin në paraburgim.
Dy të pandehurit deklaruan se janë të pafajshëm, ndërsa ekipet mbrojtëse të tyre argumentuan se ofensiva e dyshuar nuk mund të klasifikohej si krim lufte.
Gjyqi do të vazhdojë më 23 janar të vitit të ardhshëm, kur priten të dëshmojnë dëshmitarët e parë.