Në fillimin e gjyqit për krime të kryera në Dretelj, një nga kampet më të njohura të luftës në Bosnjë, një dëshmitar i prokurorisë konfirmoi se civilët serbë të Bosnjës u mbajtën aty në vitin 1992.
Halil Beso, ish-anëtar i Forcave të Mbrojtjes Kroate, HOS, në Stolac, tha për gjykatën në Bosnjë se pa të burgosurit në ndërtesën e Dreteljit, porse nuk pa nëse ishin të lënduar, apo jo.
“Isha në Dretelj në tri raste. Të burgosurit ishin aty. Kishte serbë që mbaheshin kyçur. (...) Nuk mendoj se ishin të lënduar, por nuk mund të shihja, sepse isha në makinë. Kishte gra gjithashtu, pashë gra në dritare, mendoj se po mbaheshin në katin e sipërm”, tha Beso.
Beso, i cili tani është komandanti i policisë ushtarake me Forcat e Mbrojtjes Kroate në Stolac, midis 1 korrikut dhe 9 gushtit 1992, tha se ishte i plagosur në gusht të vitit 1992 dhe u dërgua në spital, kështu që një nga të akuzuarit, Edib Buljubasic, u bë komandant.
Përvec Buljubasici, Prokuroria e Bosnjës dhe e Hercegovinës e akuzon gjithashtu Ivan Zelenikën, Srecko Hercegun, Ivan Medicin dhe Marina Grubisic-Fejzicin për krime të kryera në vitin 1992, në Dretelj.
Aktpadia specifikon se Zelenika, Hercegu, Buljubasici, Medici dhe Grubisici-Fejzici në vitin 1992 morën pjesë në krime kundër disa qindra serbëve të Bosnjës nga komunat Mostar, Ljubuski, Caplina dhe Stolac, të cilët ishin të burgosur në kampin në Dretelj.
Sipas aktpadisë, Zelenika ishte zyrtar në forcat e Mbrojtjes Kroate, Herceg ishte ish-komandant i kampit në Dretlej, Buljubasic ishte zëvendësi i tij, ndërsa Medic dhe Grubisic-Fejzic ishin ish-roje të kampit.
Zelenika, Herceg, Medic dhe Grubisic-Fejzic janë të gjithë kroatë të Bosnjës, ndërsa Buljubasic është boshnjak. Marina Grubisic-Fejzic është një nga gratë e pakta të paditura për krime lufte gjatë luftës në Bosnjë.
Dëshmitari Beso tha se kishte edhe ushtarë edhe civilë në mes të të burgosurve në Dretelj dhe se dëgjoi se ishin burgosur në mënyrë që të shkëmbeheshin.
Dëshmitari tha gjithashtu se ai personalisht e njihte të pandehurin Ivan Medic, i cili u transferua në njësinë e tij, në korrik të 1992.
“Ai u transferua në fillim të korrikut. Ishte luftëtar i mirë, por pak kokëfortë, shpesh dilte nga binarët”, tha Beso.
Gjyqi është caktuar të vazhdojë më 14 gusht.