Editorial 12 Feb 18

Familjet e personave të zhdukur duan përgjigje nga Vuçiçi ndërsa ai viziton Kroacinë

Ndërsa Aleksandër Vuçiç bën vizitën e tij të parë në Kroaci si president i Serbisë, të afërm të personave të zhdukur nga lufta e viteve 1990 po shpresojnë që ai të sjellë informacione për të ndihmuar në gjetjen e njerëzve të tyre të dashur.

Sven Milekic BIRN Zagreb
Zhvarrosja e një varri masiv të kohës së luftës në Gornje Seliste në Kroacinë qendrore. Foto: Croatian War Veterans' Ministry.

Shoqatat e viktimave dhe familjeve që po kërkojnë ende të afërmit që u zhdukën gjatë konfliktit të viteve 1990 shpresojnë për një gjest nga ana e Aleksandër Vuçiç gjatë vizitës së tij në Zagreb të hënën, duke besuar se Serbia ka informacione dhe dokumente për vendet e varrezave masive të kohës së luftës që përmbajnë kryesisht trupat e jo-serbëve.

"Di vetëm se pas 26, 27 vitesh nuk është e lehtë për ne të kërkojmë të dashurit tanë, të mos dimë se ku janë eshtrat apo varri i tij,” tha për BIRN Manda Patko, një grua 75-vjeçare kroate nga qyteti kroat i Vukovarit.

Ajo po fliste për burrin e saj Stjepan Patko, i listuar nga Kryqi i Kuq Ndërkombëtar nën numrin HRZ-115242-01. Ai u zhduk në nëntor të vitit 1991, pak ditë para se Ushtria Popullore Jugosllave dhe paraushtarakët serbë të merrnin nën kontroll Vukovarin pas gati tre muajsh bombardime të vazhdueshme.

"Dikush që ka disa informacione për të - ai person po e mban gojën mbyllur dhe nuk është i interesuar të ndihmojë, ndoshta sepse nuk ka humbur asnjë nga njerëzit e tij ose ndoshta nuk mund të tregojë për shkak të bashkatdhetarëve të tij që dinë të njëjtën gjë që di edhe ai,” spekuloi Patko.

Stjepan Patko është vetëm një nga një listë prej 1,945 qytetarësh kroatë të luftës së viteve 1990, fati, vendndodhja apo eshtrat e të cilëve nuk dihen ende.

Ministria Kroate e Veteranëve të Luftës thotë se 1,131 njerëz janë ende të zhdukur nga vitet 1991-1992, nga të cilët rreth 85-90 për qind ishin kroatë dhe 814 janë zhdukur nga viti 1995, prej të cilëve rreth 95 për qind janë serbë që u zhdukën pas operacioneve ushtarake kroate “Flash” dhe “Stuhia”.

Viktimat serbe janë varrosur kryesisht në varret e përbashkëta të shënuara pasi civilët dhe ushtarët të cilët u vranë gjithashtu u vunë në varre. Familjet e tyre dhe shoqatat e viktimave pretendojnë se autoritetet kroate nuk po bëjnë përpjekje të mjaftueshme për zhvarrosjen dhe identifikimin e trupave.

Një përqindje e madhe e kroatëve të zhdukur vijnë nga rajoni përreth Vukovarit, ku deri më tani janë zhvarrosur 42 varre masive, ndërsa 444 persona konsiderohen ende të zhdukur.

Shumë persona në Kroaci shprehen se Serbia ka informacione mbi vendndodhjen e akoma më shumë varreve ku janë varrosur të zhdukurit nga Vukovari.

"Ushtria Popullore Jugosllave luftonte këty. Ata kishin të gjithë dokumentacionin, të cilin e çuan në Beograd. Ku ndodhen këto dokumente? Pse janë fshehur dhe nuk tregohen? Nuk e di." tha Patko.

“Vuçiç duhet të sjellë të dhëna”

Aleksandër Vuçiç në Glina ë 1995.

Pasi Vuçiç pranoi një ftesë nga presidentja kroate Kolinda Grabar Kitaroviç muajin e kaluar, disa deputetë të opozitës shprehën skepticizëm se vizita e tij do të sillte ndonjë përfitim të vërtetë për marrëdhëniet e trazuara midis dy vendeve, ose do të ndihmonte në zgjidhjen e çështjes së personave të zhdukur.

Një problem tjetër është roli i Vuçiçit në luftë, kur ai vizitoi qytetin kroat të Glinës në mars të vitit 1995, i cili në atë kohë ishte nën kontrollin e serbëve të Kroacisë dhe tha: "Shteti ustash s’do të kthehet më kurrë këtu.”

Predrag Matiç, një ish-ministër kroat i veteranëve të luftës i cili ishte ushtar në Vukovar dhe pasi Vukovari ra, kaloi nëntë muaj në kampet e burgimit dhe burgjet në Serbi në vitet 1991-1992, tha se ai nuk pret shumë nga vizita e Vuçiçit.

"Vuçiç duhet të sjellë me vete të dhëna për personat e zhdukur, por ai nuk do ta bëjë këtë. Dhe pastaj mund ta pyesim atë, totalisht brenda të drejtave tona, "Përse ke ardhur këtu?,” tha ai për televizionin N1 të premten.

“Duhet të bisedojmë”

Kolinda Grabar Kitaroviç dhe Aleksandër Vuçiç. Foto: Beta/Emil Vas.

Pavarësisht nga skepticizmi, shumë shoqata të personave të zhdukur në Kroaci e mbështesin nismën e Grabar Kitaroviçit për të ftuar Vuçiçin, duke shpresuar që në fund të sjellë disa përfitime.

"Ne, si familje, e mbështesim takimin dhe një bisedë e vërtetë rreth çështjes së personave të zhdukur është i vetmi justifikim pse pala jonë kroate duhet të flasë me Vuçiçin,” tha për BIRN Ljiljana Alvir, kryetare e Aleancës së Shoqatave të Familjeve të Veteranëve Kroatë të Burgosur dhe të Zhdukur.

Alvir, e cila gjithashtu është nga Vukovari, po kërkon ende të vëllanë e saj Robertin, i cili iu bashkua forcave kroate në qytet në vitin 1991 në moshën 19 vjeçare.

Ajo tha se Grabar Kitaroviç "duhet të këmbëngulë" që Vuçiç të japë disa përgjigje në lidhje me këtë çështje.

"Nëse kjo nuk ndodh, atëherë e përsëris, nuk ka justifikim për këtë takim," theksoi ajo.

Spomenka Kusiç, kryetare e shoqatës Nënat Kroate nga qyteti lindor kroat i Vinkovcit, e mbështet gjithashtu takimin, pasi ajo mendon se "e vërteta rreth fatit të të dashurit tanë dhe për vendndodhjen e tyre" është "çështja më e rëndësishme mbi çdo çështje tjetër”.

Kusiç po kërkon ende djalin e saj Mirabelin, i cili u zhduk gjithashtu pas rënies së Vukovarit në nëntor të vitit 1991.

Por ajo risjell në mendje se si një vizitë në Vukovar në vitin 2010 nga një president i mëparshëm serb, Boris Tadiç, nuk solli ndonjë zhvillim të mëtejshëm.

"Tadiç ishte gjithashtu këtu, por nuk pati ndonjë rezultat të madh në lidhje me këtë çështje. Ne nuk kemi shumë shpresë te Vuçiçi. Por presidentja jonë bisedoi gjithashtu me ne dhe ne e mbështetëm nismën e saj dhe tani po presim të shohim se çfarë do të ndodhë në fund,” tha ajo për BIRN.

Manda Patko gjithashtu kujton zhgënjimin që vizita e Tadiçit u la në Vukovar, por ajo ka pak optimizëm për udhëtimin e Vuçiçit në Zagreb.

"Ne duhet të ulemi në tryezë dhe të bisedojmë me të gjithë,” shpjegoi ajo. "Duhet të ketë një farë dialogu."

Disqus

blog comments powered by Disqus