Lajm 04 Jul 12

Dëshmon Dëshmitari i Vetëm nga Masakra në Pandurica

Një dëshmitar i prokurorisë i tregoi gjykatës se si arriti t’i mbijetonte ekzekutimit të 14 boshnjakëve afër fshatit Pandurica, në Bosnjën lindore, në maj të vitit 1992.

Raporti i Drejtësisë
BIRN
Sarajevë

Dëshmitari i mbrojtur A, i cili jetonte në fshatin Potocani, afër Zvornikut, tha se më 10 maj 1992, u mor si burgosur, bashkë me të atin e tij dhe një person tjetër nga ushtarët e ushtrisë serbe të Bosnjës.

Ata u morën së bashku me 13 persona të tjerë, në një vend afër fshatit Pandurica. Midis ushtarëve që i shoqëruan ishte i pandehuri Slobodan Grujic, tha dëshmitari.

“Rreth 500 metra nga Pandurica, një ushtar na u afrua dhe tha: ‘Mos i dërgoni më tutje’.

Dhe ushtari që po rrinte prapa hapi zjarr mbi ne. U hodha në rrugë dhe e di që të tjerët filluan të vraponin. Dëgjova dikë tek thoshte: ‘shpërndahuni, mos i lini të ikin’”, tha dëshmitari A.

Dëshmitari tha se dëgjoi ushtarët tek numëronin të vdekurit, e më pas dikush pyeti për të.

“U shtriva me fytyrën në tokë, i lidhur. I mbylla sytë dhe nuk po merrja frymë, duke u hequr si i vdekur. Një nga ushtarët mu afrua, më vuri gishtat në qafë për të më ndjerë puslin. Shkoi në rrugë dhe tha: ‘është ende gjallë, shko vrite’. Rrëshqita në tatëpjetë. Dëgjova të shtëna”, tha dëshmitari, duke shtuar se arriti në një kanal.

Slobodan Grujic, ish-anëtar i Ushtrisë së Republikës Srpska akuzohet se ka marrë pjesë, bashkë me disa persona të tjerë, në kapjen dhe vrasjen e dhjetë civilëve boshnjakë në Zvornik, më 10 maj 1992.

Dëshmitari i mbrojtur A tha se duke kaluar përmes kanalit dëgjonte ushtarë që kërkonin për të dhe që gjuanin, porse u fsheh pas një shkurrjeje dhe nga aty arriti të arrinte në lagjen Kalesija, ditën e nesërme.

Dëshmitari tha se para të shtënave, u çua në një shtëpi, ku pa më shumë persona të burgosur që njihte, si dhe ushtarë, dhe midis tyre, të pandehurin Grujic.

“Një ushtar i panjohur vuri pushkën në kokë dhe më mori në pyetje. Në atë moment pashë që po sillnin një grup personash, që ishin të lidhur. Midis tyre ishte një djalë dhjetëvjeçar. E kërcënonin se do t’i vrisnin të atin”, tha dëshmitari.

Dëshmitari tha se ishte i vetmi që i mbijetoi ekzekutimit në Pandurica.

I pyetur nga Trupi Gjykues nëse e pa të pandehurin Grujic gjatë të shtënave, dëshmitari tha se nuk e kishte parë.

Gjyqi do të vazhdojë më 11 korrik.

blog comments powered by Disqus