Lajm 21 Aug 12

Dëshmitarja Tregon për Përdhunimet në Vilina Vlas

Në gjyqin për krime lufte në Visegrad, dëshmitarja e mbrojtur tha se beson se i pandehuri Oliver Krsmanovic e përdhunoi gjatë kohës që u mbajt e burgosur në llixhën në “Vilina Vlas”.

Raporti i Drejtësisë
BIRN
Sarajevë

“E kishte fytyrën të ngjyrosur, kështu që nuk mund ta shihja mirë. Kjo është arsyeja pse nuk mund të them 100 për qind se ishte ai, por kur një ushtar tjetër e thirri: ‘Oliver’, nuk kisha më dyshime”, tha dëshmitarja e mbrojtur OK14, duke shtuar se në dhomën ku u përdhunua ishte dhe një grua tjetër e burgosur.

Dëshmitarja OK14 tha se e njihte Oliver Krsmanovicin që para luftës.

Dëshmitarja tha se u mbajt e burgosur në Vilina Vlas në maj dhe qershor, 1992, ku përveç Krsmanovicit u përdhunua edhe nga Zeljko Lelek dhe Milan Lukic, i cili e burgosi dhe e dërgoi atje.

“Nuk e kam parë Krsmanovicin më pas përdhunimit. Në fillim të luftës, në prill të 1992, e takova në rrugë në Visegrad, kur po kaloja e dëgjova tek i mburrej një djali më të ri, që nuk e njoh, se kishte përdhunuar shumë gra myslimane”, tha OK14.

Si ish-anëtar i Ushtrisë së Republika Srpska (VRS), Krsmanovic akuzohet se ka marrë pjesë, bashkë me Milan Lukicin dhe të tjerët, në zhdukjen e detyruar të popullatës boshnjake, vrasje dhe përdhunime, në territorin e Visegradit.

Milan Lukic si lider i njësisë paramilitare Shqiponjat e Bardha u dënua nga Tribunali i Hagës me burgim të përjetshëm për krime të kryera në Visegrad, ndërsa Zeljko Lelek është dënuar me 16 vjet burgim për krime të njëjta, nga Gjykata e Shtetit në Sarajevë.

Në seancën dëgjimore të së martës, Mevlida Dzaferovic dëshmoi gjithashtu duke thënë se i pandehuri Krsmanovic hyri në shtëpinë e saj në maj të vitit 1992, bashkë me ushtarë të tjerë, dhe tha se kishte ardhur vetëm “për të parë nëse kishte diçka tjetër për të marrë nga shtëpia”.

“Nuk morën asgjë nga shtëpia, por Krsmanovici tha se do të kthehej. Pas asaj dite, u fshehëm në bodrumin e shtëpisë së fqinjit dhe kaluam dy muaj aty”, dëshmoi Dzaferovici.

“Një natë, Milan Lukic erdhi kur kunata ime Igmala ishte në shtëpi, e përdhunoi dhe iku në mëngjes. Disa ditë më vonë, Lukici erdhi përsëri, e mori Igmalën dhe nuk e pamë më kurrë”, tha Dzaferovici.

Gjatë marrjes në pyetje, Krsmanovici tha se dëshmitarja e kishte gabim, dhe Dzaferovic u përgjigj se e kishte njohur të akuzuarin shumë mirë para luftës, sepse ishte shok shkolle i kunatit të saj.

“Erdhe në shtëpinë tonë disa herë para luftës. Të njoh mirë. Nuk kam bërë gabim. E di që ishe ti, Oliver”, tha dëshmitarja.

Gjyqi do të vazhdojë më 28 gusht.

blog comments powered by Disqus