Lajm 25 Apr 12

Dëshmitari Zhvarrosi Eshtra në Pakracka Poljana

Ish-koloneli i ushtrisë kroate, Mladen Pezelj, dëshmoi të martën në gjyqin e Tomislav Mercepit se mori pjesë në zhvarrosjen e 19 trupave në Pakracka Poljana, më 1995

Boris Pavelic
BIRN
Zagreb

Pezelj, ish-shefi i departamentit të Ministrisë së Mbrojtjes përgjegjës për varrosjen e ushtarëve të vdekur kroatë, tha se zyrtarë të forcave paqeruajtëse të OKB-së në Kroaci, kryen zhvarrosjen dhe e informuan se ushtarët kroatë vranë individët e varrosur.

“Zyrtarët e OKB-së prisnin të gjenin më shumë se një mijë viktima, por gjetën nëntëmbëdhjetë,” tha Pezelj.

Trupat u transferuan në spitalin e qytetit të afërt të Bjelovarit. Rreth katër muaj më vonë, Pezelj ndoqi urdhrat për të varrosur eshtrat në varrezën ortodokse në fshatin Kukunjevac, afër Pakracka Poljanas.

Vitin e shkuar, gazeta e përditshme kroate, Novi List, tha se trupat e varrosura në varrezën në Kukunjevac ishin të të burgosurve nga burgu në Pakracka Poljana.

Pas raportit të Novi List, qeveria kroate zhvarrosi trupat. Disa nga eshtrat u identifikuan dhe familjet konfirmuan se ishin të internuar në burgun në Pakracka Poljana.

Ish i burgosuri në Pakracka Poljana, Dusan Maletic, dëshmoi gjithashtu të martën.

Maletic kujtoi se ishte arrestuar ilegalisht në Zagreb e pastaj çuar në Pakracka Poljana.

Tre ditë më vonë, Tomislav Mercep e liroi, duke shpjeguar se shumë prej miqve dhe familjarëve të tij kërkuan që të lirohej.

Ndërsa ishte në burg, Maletic u takua me Djordje Gunjevicin, i cili është një i mbijetuar tjetër dhe dëshmitar në gjyq. Gunjevic e informoi Mlaeticin se i ishin thyer brinjët me fundin e pushkës.

Si komandant i njësisë policore, Mercep është akuzuar se ka urdhëruar arrestimin e paligjshëm, torturimin dhe vrasjen e civilëve nga tetori deri në mes të dhjetorit 1991, në dhe rreth Zagrebit, dhe në qytetet Kutina dhe Pakrac në Kroacinë qendrore.
Sipas aktpadisë, njësia e tij policore, “Mercepovci” kapën ilegalisht 52 persona, kryesisht serbë të Kroacisë. 43 viktima u vranë, tre u zhdukën dhe gjashtë iu mbijetuan torturave.

Gjyqi vazhdon më 8 maj.

blog comments powered by Disqus