Lajm 15 Jun 12

Dëshmitari Tregon për Rrahjet në Kampin Silos

Një dëshmitar i prokurorisë në gjyqin për krime në Hadzici dëshmoi se në vitin 1992 një nga të akuzuarit e mori peng nga shtëpia e tij dhe e torturoi para se ta dërgonte në një kamp përqendrimi.

Raporti i Drejtësisë
BIRN
Sarajevë

Dëshmitari Risto Mijatovic tha se, në fund të majit ose të qershorit 1992, Mirsad Sabic, i shoqëruar nga dy burra të tjerë, e morën nga shtëpia e tij dhe e dërguan në një kasolle në fshatin Pazaric, afër Sarajevës, ku e rrahën.

“Mirsad Sabic, Mujo Fatic dhe Avdo Mujan më çuan në kasolle dhe filluan të më marrin në pyetje. Pastaj filluan të më rrihnin. Më goditën deri sa më ranë të fikët. Më gjuajtën në këmbë”, tha Mijatovici, duke treguar shenjat në kokë dhe dorë të shkaktuara nga rrahjet dhe të djegurat me cigare.

Dëshmitari tha se, pasi kaloi tre ditë në kasolle, Sabici, Fatici dhe Mujani e çuan në kampin Silos.

Mirsad Sabici, Mustafa Djelilovici, Fadic Covici, Nezir Kazizi, Becir Hujici, Halid Covic, Serif Mesanovici dhe Nermin Kalemberi akuzohen për krime të kryera në barakat e ushtrisë në Krupë, në ndërtesën e shkollës “9 Maji”, dhe në kampin e përqendrimit në Silos.

Aktpadia hedh dyshime se ish-përfaqësues të autoriteteve civile, ushtarake dhe policore morën pjesë në një ndërmarrje të përbashkët sistematike kriminale, në të cilën kryen krime kundër civilëve serbë dhe të burgosurve të luftës, në periudhën midis viteve 1992 dhe 1996.

Mijatovici i tha gjykatës se u rrah gjithashtu gjatë burgimit në Silos, duke shtuar se të burgosurit në Silos u rrahën në Ditën e Ndërrimit të Jetëve [festë fetare serbe].

Ai tha se nuk e dinte se kush i rrahu të burgosurit atë ditë, por dyshoi se ishin të njëjtit persona që e  rrahën në kasolle.

“Kur na mbajtën në Silos, fjetëm në çimento. Kur na jepnin një fetë bukë dhe binte ndonjë thërrime në tokë, e kërkonim dhe hanim, edhe pse ishte e mbuluar me pluhur. Në ditë na jepnin vetëm një fetë buke dhe pesë lugë supë”, tha Mijatovic.

Pas një muaji në kampin Milos, Mijatovici u çua nga Sabici, Fatici dhe Mujani në ndërtesën e shkollës në Pasaric, ku e pa Sabicin disa herë, para se të transferohej në barakat në Krupë.

“Më duket se një burrë me emrin Sera ishte shefi në Krupë. Isha vërtet keq, kështu që disa herë më morën me batanije dhe më vunë në çimento përballë qelisë sonë. Një ditë, ndërsa isha i shtrirë në tokë, erdhe Sera. Më pa dhe më tha: ‘S’ke për të ikur kurrë nga ky vend’”, tha Mijatovici.
.
Në dhjetor të vitit 1992, Mijatovici i la barakat në Krupë përmes shkëmbimit të të burgosurve.  Ai tha se ende po vuan pasojat e rrahjeve në kampet e përqendrimit.

“Zgjohem në mes të natës. Kam ankthe për tre djemtë që më rrahën. Janë trauma të rënda dhe plagë të thella”, tha dëshmitari.

Seanca tjetër dëgjimore do të mbahet më 28 qershor, kur avokatët mbrojtës do të marrin në pyetje Mijatovicin.

blog comments powered by Disqus