Një dëshmitar në gjyqin për krime të kryera në burgun ushtarak në Dretelj dëshmoi se gjatë burgimit të tij, u rrah, u torturua dhe u abuzua seksualisht.
Slavko Bogdanovic, një serb i Bosnjës, tha se në prill të vitit 1992, u arrestua në Mostar dhe u dërgua në Dretelj, ku u mbajt gjashtë muaj. Dëshmitari tha se gjatë burgosjes së tij, u rrah dhe u abuzua vazhdimisht.
“Në Dretelj pati rrahje dhe duhet të këndonim këngë ustashe. U rrahëm nga rojet, civilët, të gjithë ata që ishin përreth. Jam abuzuar seksualisht, gjithashtu. Të burgosurit detyroheshin të hiqnin rrobat dhe të bënin aktivitete seksuale gojore me njëri-tjetri. Edhe na detyronin të puthnim njëri-tjetrin” tha Bogdanovic.
Ai dëshmoi se të burgosurit në Dretelj u abuzuan nga anëtarë të Forcave të Mbrojtjes Kroate, HOS, që ishte një njësi paramilitare e përbashkët kroate dhe boshnjake, e formuar në fillim të konfliktit të Bosnjës. Luftuan forcat serbe të Bosnjës në jug të Hercegovinës.
Prokuroria e Bosnjës e akuzon Ivan Zelenikën, Srecko Hercegun, Edib Buljubasicin, Ivan Medicin dhe Marina Grubisic-Fejzicin për krime të kryera në kampin Dretelj, në vitin 1992.
Katër kroatët e Bosnjës, Ivan Zelenika, Srecko Herceg, Ivan Medic dhe Marina Grubisic-Fejzic dhe një boshnjak, Edib Buljubasic, akuzohen se kanë kryer krime kundër disa qindra serbëve të Bosnjës nga komunat e Mostarit, Ljubuskit, Caplijnës dhe Stolacit, që ishin të burgosur në kampin në Dretelj, në vitin 1992.
Sipas aktpadisë, Hercegu ishte komandant i kampit Dretelj, Buljubasic ishte zëvendësi i tij dhe Medic dhe Grubisic-Fejzic ishin roje kampi.
Prokuroria thotë se Medic dhe Grubisic-Fejzic sulmuan të burgosurit në disa raste dhe i detyruan të kryenin marrëdhënie seksuale.
Bogdanovici tregoi se Medici e detyroi të kryente punë të detyruar në disa raste, por se nuk e qëlloi.
“Në një rast, anëtarë të HOS-it erdhën nga Mostari për të na rrahur. Ivan Medic nxori një thikë dhe ma nguli në gjuhë. Më goditi mua dhe disa persona të tjerë, në gjuhë, gjithashtu. Nuk më torturoi më pas kësaj”, tha dëshmitari.
Bogdanovici përshkroi gjithashtu reputacionin e Buljubasicit në burg dhe dëshmoi se ai ka abuzuar të burgosurit. “Buljubasici torturoi dhe rrahu njerëz. Më goditi disa herë. Gra nga HOS-i gjithashtu na abuzuan. I detyruan të burgosurit të kishin marrëdhënie seksuale”, tha ai.
Bogdanovici tha se kushtet në Dretelj ishin të këqija dhe se të burgosurit nuk kishin ujë dhe ushqim të mjaftueshëm. “Më detyruan të pija urinë dhe të haja bojë këpuce dhe cigare. Abuzimi ishte i vazhdueshëm. Kjo nuk është as dhjetë për qind e asaj çfarë po ndodhte në Dretelj. Sikur të mund ta harroja të gjithën”, tha ai.
Gjyqi do të vazhdojë më 21 gusht.