Në gjyqin për krime të kryera në Sarajevë në vitin 1992, një dëshmitar i prokurorisë tha se i pandehuri Goran Saric ishte në kontroll të forcave serbe të Bosnjës në Nahorevë.
Dëshmitari Muhamed Ruhotina tha se bashkë me 25 burra u çua në të ashtuquajturin Bunkeri i Sonjës [komuna e Vogoscës] pasi u arrestuan në rrethinën e Sarajevës, më 1992.
“Kur më burgosën, peshoja 120 kilogramë dhe kur më shkëmbyen, isha 48 kilogramë. Edhe gruaja ime nuk më njohu”, tha Ruhotina, që kaloi nëntë muaj e gjysmë i burgosur në vende të ndryshme.
Ai tha se në objekte të ndryshme u detyrua të lëvizte trupat të vdekurish, të hapte gropa dhe të dërgonte municion për ushtrinë e Republikës Srpska. “Mbijetova dy herë, dhe u plagosa tre herë”, tha dëshmitari.
Duke folur për burgimin e popullatës së lagjes Nahorevo në Sarajevë, dëshmitari tha se në fillim u thirrën para shkollës fillore, për të dorëzuar armë, kryesisht armë gjahu, gjë të cilën e bënë”.
“Disa ditë pas kësaj, shkuan derë më derë dhe thanë se të gjithë burrat e moshave midis 16 dhe 80, duhet të shkojnë në qendrën e komuniteteve për një takim. Njëzet minuta më vonë, ushtarët erdhën dhe na çuan në Jagomir”, tha Ruhotina.
Në spitalin në Jagomir dëshmitari kaloi tre ditë, pas të cilave u ndanë dhe të burgosurve iu foli Saric.
“Na thanë të shkonim përballë ndërtesës dhe të qëndronim në rresht. Goran Sarici erdhi i veshur me uniformë kamuflazh, me beretë. Ai tha: ‘Personat që po i lë të ikin, bëjnë mirë mos të guxojnë të sulmojnë Jagomirin’. Kishte automatik në dorë dhe qëlloi një pemë aty afër”, kujtoi Ruhotina.
Dëshmitari shtoi se një ish-polic i quajtur Boban, kur iu kërkua nga një fqinj boshnjak të lirohej, tha se nuk vendoste dot për asgjë, dhe se “Goran Sarici ishte shefi”.
“Isha i pari në listë për t’u liruar, por më kthyen pas. Lista u lexua nga Goran Sarici. Një grup u lirua drejt Stara Brekës, e pashë këtë nga dritarja e ndërtesës. Pjesa tjetër u çuam në Bunkerin e Sonjës”, tha Ruhotina.
Sarici akuzohet si shefi i stacionit të policisë në komunën serbe Centre në Sarajevë, për dhënien e urdhrit më 19 qershor 1992, që të gjithë burrat në Nahorevë të vinin në qendrën lokale të komuniteteve dhe rreth 100 boshnjakë u çuan nga aty dhe u mbajtën të burgosur në ndërtesën e spitalit në Jagomir.
Siç thuhet edhe në aktpadi, Sarici i ndau 60 të burgosurit në grupin e parë që u çuan me forcë në territorin e kontrolluar nga Ushtria e Bosnjë dhe Hercegovinës, 26 boshnjakë në grupin që u transferua në kampin Bunker në Vogoscë, ndërsa ndau 11 persona në grupin e tretë që më pas u vranë në territorin e Skakavacit në Sarajevë.
Seanca tjetër gjyqësore është caktuar të mbahet më 11 qershor.