Lajm 20 Jul 12

Dëshmitari Thotë se Kushtet në Silos Ishin “Të Tmerrshme”

Ndërsa gjyqi për krime lufte në komunën e Hadzicit vazhdon, një dëshmitar i prokurorisë përshkroi kushtet e tmerrshme gjatë qëndrimit të tij pesëmujor në kampin Silos.

Raporti i Drejtësisë
BIRN
Sarajevë

Vinko Lale, një serb i Bosnjës, i tregoi gjykatës në Sarajevë se u dërgua në kampin e burgimit në Silos, bashkë me Spasoja Kovacevicin, nga fshati i tij Tarcin, më 13 korrik 1992. Dëshmitari tha se kur arriti në Silos u mor në pyetje dhe pastaj u dërgua në një nga dhomat.

“Më çuan mua dhe Spasojen në një dhomë. Ishte errësirë. Një roje që kishte pushkë, na tha të bënim pesë hapa para në ujë. Nda detyroi të qëndronim me këmbë në ujë. Nuk guxuam të lëviznim se na tha që përndryshe do të na vriste. E kaluam natën në këmbë”, tha Lale.

Dëshmitari tha se më vonë, i pandehuri Halid Covic e dërgoi në një qeli, ku pa disa persona që dukeshin “të frikshëm”.

“Kur u hap dera e qelisë, ndjemë një erë të tmerrshme urine dhe fekale. Njerëzit ishin të pistë, të parruar. Disa kishin të nxira. Dukeshin të frikshëm. Nëse ka ndonjë foto horror, atëherë është ajo çfarë pashë kur u hap dera”, tha Lale.

Prokuroria e Bosnjë dhe Hercegovinës e akuzon Mustafa Djelilovicin, Fadil Covicin, Nezir Kazicin, Becir Hujicin, Halid Covicin, Serif Mesanovicin dhe Nermin Kalemberin për krime në kampin e përqendrimit në Silos, në barakat e ushtrisë “Krupa” dhe ndërtesën e shkollës “9 Maji”.

Sipas akuzave, Becir Hujici dhe Halid Covici ishin kujdestar dhe zëvendëskujdestar në kampin në Silos dhe Nermin Kalemberi ishte roje kampi. Të pandehurit e tjerë ishin anëtarë të policisë, forcave civile dhe ushtarake në Hadzici.

Dëshmitari Lale tha se tre persona, përfshirë Zulfikar ‘Zuka’Alispago, i cili njëherë erdhi në kampin Silos dhe se donin të vrisnin atë dhe Spasojen.

“Kalemberi ishte me ne. Zuka e shau dhe iu tha: ‘A është kështu si e ruan një çetnik? Duke e mbajtur pushkën në shpinë!?’ Pastaj urdhëruan që unë dhe Spasoja të qëndronim pas murit, që të na qëllonin. Këta tre persona pastaj shkuan të sillnin dikë tjetër. Kalemberi na tha të vraponim për në qeli, se ata të tre ishin të çmendur”, tha Lale.

Alispago është në gjyq para Gjykatës së Sarajevës për krime në fshatin Trusina, afër Konjicit, më 1993.

Dëshmitari tha se e dinte që Becir Hujici ishte kujdestari në kampin Silos dhe se Halid Covici ishte zëvendësi i tij. Ai tha më pas se u largua nga Silosi, më 22 dhjetor 1992.

“Mendoj se një shoku im pagoi për të më liruar. Nuk mësova kurrë se sa pagoi. Kur dolëm, Beciri më uroi dhe më dërgoi në shtëpi”, tha dëshmitari.

Pasi u largua nga kampi në Silos, ai iu nënshtrua trajtimit mjekësor dhe u diagnostikua me Çrregullim të Stresit Post-Traumatik.

Seanca tjetër dëgjimore do të mbahet më 23 gusht, kur ekipet mbrojtëse do të marrin në pyetje dëshmitarin.

blog comments powered by Disqus