Në gjyqin për krimet e kryera në Sarajevë, një dëshmitar i prokurorisë tha se i pandehuri, Goran Saric, i tha një ushtari t’i merrte njerëzit nga Nahorevo dhe t’i vriste.
Dëshmitari Abid Pandzic, banor i lagjes Nahorevo në Sarajevë, tah se në verën e vitit 1992, u urdhërua nga forcat serbe të Bosnjës të largohej nga shtëpia e tij dhe të mblidhej me boshnjakë të tjerë në një vend në një kodër aty afër.
“Një ushtar me emrin Zorka na tha se po prisnin për Saricin për të parë se çfarë duhet të bënin me ne. Sarici erdhi menjëherë më pas dhe tha shkurtimisht: ‘Merrini dy e nga dy dhe vritini’. Sidoqoftë, Zorka na tha më pas se nëse donin bashkëjetesë, duhet të ktheheshim në shtëpitë tona, gjë të cilën e bëmë”, tha Pandzic.
Ai shtoi se, ditën tjetër, bashkë me burra të tjerë boshnjakë nga Nahorevo, u çua në ndërtesën e spitalit psikiatrik në Jagomir, ku e pa Saricin përsëri.
Goran Sarici akuzohet, si shef i stacionit të policisë në komunën serbe Centar në Sarajevë, se ka marrë pjesë në sulmin ndaj civilëve boshnjakë dhe kroatë të Bosnjës në Nahorevo, Poljine, dhe lagje të tjera në Sarajevë.
Sipas aktpadisë, ai i urdhëroi të gjithë burrat nga Nahorevo të vinin në qendrën e komuniteteve më 19 qershor 1992, ku 100 boshnjakë u morën nga aty dhe u burgosën në ndërtesën e spitalit në Jagomir.
Në të njëjtën ditë, u tha, se Saric urdhëroi që pjesa tjetër e popullatës joserbe të dorëzohej, dhe rreth 200 gra, fëmijë dhe të moshuar u morën me forcë në territorin e kontrolluar nga Ushtria e Bosnjë dhe Hercegovinës.
Dëshmitari Abid Pandzic tha se burrat në ndërtesën e spitalit të Jagomirit u vendosën në tre, ose katër dhoma, dhe se iu morën paratë, stolitë dhe dokumentet. Më vonë, përballë spitalit, Sarici u ndau në grupe.
“Sarici vendose se kush shkonte në Vogosca dhe kush në Pale. Po qëndronte përballë ndërtesës ndërsa po na vinin në rresht. U vura në grupin për në Vogosca dhe u dërgova në një bunker afër tavernës Sonja”, tha Abid Pandzic.
Gjatë nëntë muajve që kaloi në kampin e burgimit në Vogosca, dëshmitari tha se e pa të pandehurin një ose dy herë.
Dëshmitari Mesur Pandzic u mor në pyetje gjithashtu gjatë seancës së të hënës, dhe tha se ishte urdhëruar të lëvizte nga spitali në Jagomir, ku u mbajt gjatë verës së 1992, për në bunkerin në Vogosca.
“Saric na tha të shkonim në Bunkerin në Sonja dhe 28 prej nesh u dërguan aty. E di që tre burra ndenjën pas në ndërtesën e spitalin, dhe trupat e tyre u gjetën më vonë dhe u identifikuan në Skakavac”, tha Mensur Pandzic.
Gjyqi do të vazhdojë më 18 qershor.