Lajm 05 Dec 12

Dëshmitari: Mladic Kishte Kontroll të Plotë Mbi Forcat e Tij

Gjyqi i ish-shefit të ushtrisë serbe të Bosnjës, Ratko Mladic, vazhdoi me dëshminë e një ish-oficeri të forcave mbrojtëse të OKB-së, UNPROFOR, që gjendej në Sarajevë gjatë luftës në Bosnjë.

Raporti i Drejtësisë
BIRN
Hagë

Ish-zëvendëskomandant i UNPROFOR-it , David Fraser, tha se ushtria serbe e Bosnjës ka përdorur zjarr artilerie “të tepruar dhe pa dallim” me qëllim për të sulmuar civilët në Sarajevë, në vitet 1994 dhe 1995.

“Sarajeva u godit nga predha të shumta; po sulmonin jo vetëm komandën e ushtrisë, por edhe në qytet”, tha dëshmitari, duke përshkuar një nga ditët e tij në Sarajevë, në mes të prillit të vitit 1994 dhe majit të vitit 1995.

Gjenerali Fraser, kanadez, përfundoi duke thënë se ushtria serbe e Bosnjës përdori zjarr jashtë proporcioneve dhe pa dallim në bazë të hetimeve të UNPROFOR-it për sulmet në qytet.

Mladic, ish-komandanti i Ushtrisë së Republikës Srpska, akuzohet për terrorizim të civilëve në Sarajeve me sulme me artileri dhe snajperë, mes viteve 1992 dhe 1995. Ai akuzohet gjithashtu për gjenocid në Srebrenicë dhe shtatë komuna të tjera, dëbimin e joserbëve në Bosnjë dhe marrjen peng të paqeruajtësve të OKB-së.

Fraser tha se zjarri nga pozitat e Ushtrisë së Republikës Srpska ishte “provokuar” pjesërisht nga ushtria boshnjake brenda vendit, porse përgjigja ishte joproporcionale.

“Për çdo granatë të hedhur nga ushtria boshnjake, Ushtria e Republikës Srpska përgjigjej me dhjetë predha”, tha ai.

Sipas Fraserit, forcat serbe të Bosnjës hodhën bomba të modifikuara aeroplanësh në zona me popullsi të dendur dhe se “nuk kishte merita ushtarake”, sepse bombat nuk ishin në të sakta.

Fraser tha se ishte dëshmitar kur Mladici kërcënoi se do të kufizonte lëvizjet e UNPROFOR-it dhe do të parandalonte konvojet humanitarë që hynin në Sarajevë pas sulmeve të NATO-s në ushtrinë serbe të Bosnjës vjeshtën e vitit 1994.
Pas urdhrave të Mladicit, që u lexuan në sallë të gjyqit, më pas trupat e tij bën çfarë urdhëroi ai, konfirmoi dëshmitari.

Fraser tha se Mladic kërcënoi se komandanti i asaj kohe i UNPROFOR-it në Sarajevë, Francis Briquemont, se do “të sulmonte vetë UNPROFOR-in”.

Dëshmitari tha se Mladic kishte komandë të padiskutueshme dhe kontroll mbi njësitë e Ushtrisë së Republikës Srpska.

Fraseri do të merret në pyetje nga avokati i Mladicit, Dragan Ivetic, të enjten, më 6 dhjetor.

Disqus

blog comments powered by Disqus

Sfond

dëshmitari-i-mlladiçit-ushtria-serbe-ndaloi-abuzimin-me-të-burgosurit

Dëshmitari i Mlladiçit: Ushtria serbe ‘ndaloi abuzimin me të burgosurit’

Një dëshmitar i mbrojtjes tha para gjyqit për krime lufte të Ratko Mlladiç se ushtria e serbëve të Bosnjës i dha urdhra trupave për të mbrojtur civilët dhe ndaloi shkatërrimin e fshatrave të tyre.

Buletini ditor