Duke dëshmuar në gjyqin për krime të kryera në Hadzici afër Sarajevës, një dëshmitar i prokurorisë kujtoi abuzimin në kampin e burgimit në Silos.
Radmilo Sogura, një serb i Bosnjës, i tha gjykatës se më 8 qershor, 1992, një nga të akuzuarit, Mirsad Sabic, e mori nga shtëpia e familjes së tij për në ndërtesën e shkollës në fshatin Pazaric, ku u rrah dhe u mor në pyetje.
“I pashë ushtarët përballë ndërtesës së shkollës. Dëgjova dikë që bërtiste: ‘Në rresht!’ në korridorin që çonte në palestër; më goditën me tytën e pushkës. Mirsad Sabic ecte para nesh. Iu tha të na çonin në palestër”, tha dëshmitari.
Mirsad Sabic, ish-komandant policie në Pazaric, akuzohet se bashkë me Mustafa Djelilovicin, Fadil Covicin, Nezir Kazizin, Becir Hujicin, Halid Covicin, Serif Mesanovicin dhe Nermin Kalemberin për krime të kryera në barakat e ushtrisë në Krupë, ndërtesën e shkollës “9 Maji” dhe në kampin e përqendrimit në Silos.
Aktpadia hedh dyshime se ish përfaqësuesit e autoriteteve civile, ushtarake dhe policore kanë marrë pjesë në një ndërmarrje të përbashkët kriminale, në të cilën kryen krime kundër civilëve serbë dhe të burgosurve të luftës, në periudhën midis viteve 1992 dhe 1996. Sogura tha se, pasi kaloi tre ditë në shkollë, u dërgua në kampin Silos, ku u mbajt deri në shkurt të vitit 1993, ku u shkëmbye. Ai tha se nuk u rrah në Silos, porse kaloi “poshtërimin më të madh”.
Më thanë të merrja një kovë, të cilën ne të burgosurit e përdornin për të urinuar. Më detyruan ta hidhja përmbajtjen e kovës në kokë. Më poshtëruan më shumë se çdo gjë në botë. Kjo ndodhi në ditët e para pasi arrita në kampin e përqendrimit, ku ndenja për muaj. Nuk më lanë të lahesha më pas”, tha dëshmitari.
Sogura theksoi se Becir Hujic ishte roja në kampin Silos dhe se pa një nga të pandehurit, Nermin Kalemberin, i njohur si Buba, që ruante kampin.
“Një herë i kërkova Kalemberit të më sillte pak bukë. Më shau dhe tha: ‘Unë të të sjell bukë dhe ti do të më vrasësh’. Ishte strikt dhe arrogant. Mendonte se ishte autoriteti suprem, meqë kishte pushkë. Dëgjova se i rrahu disa persona, por nuk e pashë vetë”, tha dëshmitari.
Sipas tij, gjatë muajve të parë, të burgosurve iu jepej vetëm dy-tre lugë ushqim dhe një copë e vogël buke.
“Qelia në të cilën qëndronim ishte e errët dhe gri, me rrjeta merimange. Gjatë gjithë muajve të qëndrimit tim aty, në kamp ishte errësirë”, tha dëshmitari.
Gjyqi do të vazhdojë më 19 korrik.