Në gjyqin e 17 ish-luftëtarëve të UÇK-së, i njohur si “Grupi i Gjilanit” për krime të kryera ndaj popullatës civile, dëshmitarët dëshmuan për torturat që vuajtën gjatë konfliktit në Kosovë, në vitin 1999.
Zarko Rakic, ish-banor i fshatit Viti, afër Gjilanit, tha të enjten para Gjykatës Speciale në Beograd se situata në Kosovë, pas arritjes së forcave të NATO-së, KFOR, dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK, ishte shumë e tensionuar dhe e pasigurt.
“Çdo lloj gjërash ndodhën, nuk kishte autoritet, të gjithë bënin çfarë donin, kishte pengmarrje dhe të shtëna”, shpjegoi Rakici.
“U mora peng më 19 qershor, në rrugë. Isha nisur për të shkuar te motra ime dhe dhjetë njerëz më dolën para. Na sulmuan dhe na mbajtën të burgosur gjithë ditën. Disa nga ta vishnin uniforma, disa jo”, tha Rakici.
Sidoqoftë, dëshmitari nuk mund të njihte asnjë nga të akuzuarit.
Aktpadia e lëshuar nga prokuroria më 11 gusht 2009, akuzon 17 ish-anëtarët e UÇK-së, si pjesë e “Grupit të Gjilanit”, për torturim brutal deri në vdekje të të paktën 80 personave, midis fillimit të qershorit dhe fundit të dhjetorit 1999.
Të paktën 34 persona konsiderohet ende të zhdukur, ndërsa të paktën 153 që janë burgosur ilegalisht dhe torturuar, janë liruar më pas.
Zoran Stankovic, një nga të mbijetuarit nga shkolla në Gjilan, në të cilën, sipas aktpadisë, persona janë mbajtur të burgosur, janë torturuar dhe vrarë, dëshmoi se edhe ai është torturuar për disa orë nga ushtarë shqiptarë të panjohur.
“Më rrahën për rreth tetë, ose dhjetë orë. Isha i mbuluar me të nxira. Më çuan në kat të dytë dhe më torturuan aty. Mbijetova vetëm falë shokut të babait tim, që i njihte këta persona”, tha Stankovici.
Stankovici gjithashtu nuk ishte në gjendje të konfirmonte identitetin e torturuesve, por shtoi se nga një shok shqiptar dëgjoi se i akuzuar Shefket Musliu ishte në mes të anëtarëve të UÇK-së.
Për momentin në paraburgim janë Nazif Hasani, Ahmet Hasani, Faton Hajdari, Samet Hajdari, Ferat Hajdari, Kamber Sahiti, Selimon Sadiki, Agush Memishi, Burim Fazliu dhe Shemsi Nuhiu.
Të akuzuarit Fazli Ajdari, Rexhep Aliu, Shaqir Shaqiri, Shefqet Musliu, Sadik Aliu, Idriz Aliu dhe Ramadani janë në arrati, dhe duke qenë se nuk janë të pranishëm, po gjykohen në mungesë.
Gjykata në Beograd dënoi nëntë anëtarë të Grupit të Gjilanit me një total prej 101 vitesh burgim për krime lufte ndaj civilëve më 21 janar 2011.
Dhoma e Krimeve të Luftës në Gjykatën e Apelit në Beograd e hodhi poshtë vendimin më 7 dhjetor 2011, dhe e çoi rastin për rigjykim.