Prokuroria ka paraqitur artikuj të kohës së luftës për dëbimet në Sarajevë, si pjesë të provave në gjyqin e Veselin “Batko” Vlahovicit, i cili akuzohet për krime në Grbavicë, Vracë dhe Kovacic.
Edina Kamenica, gazetare e gazetës Oslobodjenje, konfirmoi vërtetësinë e artikujve të saj të publikuar në vitin 1993 dhe 1997, si dhe artikuj nga gazeta të tjera, që përmbajnë dëshmi nga persona që jetonin në Grbavicë, Vracë dhe Kovacic në vitin 1992.
Kamenica tha se ka jetuar në Kovacic deri më 30 shtator 1992, kur bashkë me 500 banorë të tjerë joserbë, u dëbua për në territorin e kontrolluar nga Ushtria e Bosnjë dhe Hercegovinës.
Duke folur për artikujt e saj, të titulluar “Dëshmi - zhdukje të heshtura nga Grbavica dhe Vraca”, të publikuar në vitin 193, Kamenica tha se “njerëzit ishin më të gatshëm për të folur në atë kohë,” sesa në vitin 197,” kur seria e dytë u publikua me titullin “Batko - kasapi që ka frikë nga merimanga”.
“Duke shkruar artikullin e dytë, e kuptova se njerëzit nuk tregonin, sepse kishin frikë”, tha Kamenica.
E pyetur nga avokati i Vlahovicit, se pse, si profesioniste, ajo nuk trajtoi anën tjetër të historisë në artikujt e saj, Kamenica u përgjigj se kishte shkruar qindra artikuj për ta treguar historinë nga të gjitha këndvështrimet e mundshme.
“Fakti që ndaj Batkos u ngre një aktpadi, konfirmon që e kam bërë punën time profesionalisht,” tha Kamenica.
Vlahovic iu drejtua dëshmitares, duke thënë se pajtohej me pjesë të artikujve të saj. “Ka të vërteta në të, por ka edhe gënjeshtra,” shtoi ai.
Prokuroria e akuzon Vlahovicin për vrasje, përdhunim, torturim, vjedhje, zhdukje, dhe akte të tjera çnjerëzore, të gjitha të kryera në vitin 1992 ndaj civilëve boshnjakë dhe kroatë në lagjet Grbavica, Vracë dhe Kovacic në Sarajevë.
Avdo Huseinovic, regjisor, u thirr gjithashtu si dëshmitar nga prokuroria. Filmi i Huseinovicit, “Kërcim i Përgjakshëm në Shehër” [emri turk i Sarajevës], adreson drejtpërsëdrejti ngjarjet e kohës së luftës në komunën e Novo Sarajevës, duke përfshirë Grbavicën, Vracën dhe Kovacicin.
Huseinovic tha se burimet e tij primare për filmin ishin artikujt e gazetës së Kamenicës, që e nxitën të bindë banorët nga Grbavica të dilnin para kamerës.
“Protagonisti i filmit ishte një djalë i njohur si dëshmitari S25, 14 në atë kohë, që u mor nga Batko në një apartament, ku mbante një grua si skllave seksi dhe më pas i mburrej djalit se si e kishte vrarë”, tha Huseinovic.
I pyetur nga avokatët mbrojtës, ai tha se filmi “ka përshkruar absolutisht në mënyrë të vërtetë dëshmitë e njerëzve”.
Gjyqi do të vazhdojë më 31 maj 2012.