Në argumentet mbyllëse, avokatët mbrojtës të Sasa Zecevicit dhe Radoslav Knezevicit, argumentuan se klientët e tyre nuk morën pjesë në vrasjen e 200 civilëve në Koricanske Stijene, në vitin 1992.
Avokati mbrojtës i Zecevicit, Radovan Stanic, tha se deklaratat e dhëna nga dëshmitarët që thanë se klienti i tyre po shoqëronte një automjet me 200 burra që ishin marrë dhe vrarë, ishin kontradiktore.
Stanici tha se ndërsa po merrej në pyetje pas arrestimit të tij në korrik të vitit 2009, Zecevici tha në Prokurorinë e Shtetit në Bosnjë se nuk shoqëroi automjetin me më shumë se një mijë civilë që udhëtonin nga Prijedori në Travnik më 21 gusht 1992, por se atë ditë nuk kishte një alibi.
“Ai tha se nuk e dinte se ku ishte. Përmendi, një ditë më vonë, më 22 gusht, se morri pjesë në pastrimin e terrenit në Stijene Koricanske. Nuk është e arsyeshme t’i kërkohet të mbajë mend se ku ishte 17 vjet më parë dhe me kë”, tha Stanici.
Zecevici iu drejtua Trupit Gjykues dhe tha se nuk ka marrë pjesë në krim.
“Më vjen keq për viktimat e krimit, dhe për familjet e tyre. Kanë të drejtën të dinë se çfarë ndodhi. Autorët e krimeve duhet të përgjigjen për këtë krim, por unë nuk jam një nga ta. Kundër meje janë përdorur dëshmitarë fals”, tha Zecevici.
Zecevici dhe Knezevici akuzohn bashkë me Petar Civcicin, Branko Topolan dhe Marinko Ljepojan se kanë marrë pjesë në vrasjen e 200 burrave, kryesisht boshnjakë, të cilët u ndanë nga konvoji i automjeteve, në Koricanske Stijene në Malin Vlasic.
Aktpadia hedh dyshime se Civcici, Zecevici, Ljepoja dhe Knezevici ishin policë në Prijedor, ndërsa Topola ishte roje në kampin e burgimit në Trnopolje.
Stanici pastaj komentoi për dëshmitë e dhëna nga një anëtar i Skuadrës së Ndërhyrjes së policisë së Prijedorit, që tha se është fajtor për krimet në Stijene Koricanske.
“Cetici ka një të shkuar kriminale. Është dënuar pesë herë në të shkuarën. Është lloji i personit që do të tregonte një histori të sajuar, nëse i kërkohet të bëjë kështu. Dëshmia e tij ishte ujdisur më parë”, tha avokati mbrojtës.
Ljubisa Cetici, i cili u dënua me 13 vjet burgim, dëshmoi në kërkesë të avokatit mbrojtës të Zecevicit.
Ndërsa po merrej në pyetje nga avokati mbrojtës, Cetici nuk e përmëndi pjesëmarrjen e Zecevicit në vrasjet në Koricanske Stijene, sidoqoftë foli rreth tyre, ndërsa po merrej në pyetje nga prokuroria.
Avokati mbrojtës i Knezevicit, Milan Vujin, tha se as nuk e dinte çfarë të analizonte në lidhje me pjesëmarrjen e dyshuar të klientëve të tij në Koricanske Stijene.
“Asnjë dëshmitar nuk tha se e ka parë Knezevicin duke qëlluar. Prokuroria u përpoq të vërtetonte se Knezevici ishte atje dhe mori pjesë në një ndërmarrje të përbashkët kriminale. Edhe nëse Gjykata gjen prova se ka qenë atje, nuk ka prova se ka qëlluar dikë”, tha Vujin.
Më parë në argumentet mbyllëse, prokuroria kërkoi që të pestë të pandehurit të shpallen fajtorë.
Avokatët mbrojtës të tre të pandehurve të tjerë do të prezantojnë argumentet mbyllëse më 14 qershor.