Dy vjet pasi filluan punimet, anëtarë të grupit të ekspertëve prezantuan një draft të strategjisë së Drejtësisë Tranzicionale, qëllimi i të cilës është “të ndihmojë të pajtojë shoqërinë boshnjake”.
Niko Grubesic, asistent në Ministrinë e Drejtësisë së Bosnjës, që kryesoi tryezën e rrumbullakët në të cilën u prezantua strategjia, tha se dobia më e madhe e këtij dokumenti është “orientimi që ka ndaj viktimave”.
“Bosnja e post-konfliktit duhet të dënojë të gjithë kriminelët e luftës, por duhet t’iu japë gjithashtu satisfaksion të gjitha viktimave të luftës dhe të bashkojë shoqërinë boshnjake”, tha Grubisic.
Drafti i Strategjisë së Drejtësisë Tranzicionale parashikon që të gjitha viktimave të luftës në Bosnjë t’iu lejohet e drejta për të ditur të vërtetën për vuajtjen e tyre, përmes formimit të një institucioni jojuridik, si dhe t’iu jepet viktimave të drejtat për dëmshpërblime dhe përkujtimore si materiale, ashtu dhe jomateriale.
Strategjia parashikon gjithashtu një reformë institucionale që duhet të bëhet përmes një procesi verifikimi nga shteti boshnjak, për të siguruar kështu që mbajtësit e zyrave publike nuk kanë qenë të lidhur me krimet e luftës, ose shkelje të tjera të drejtave të njeriut gjatë luftës.
Strategjia është draftuar nga një grup ekspert me 15 anëtarë, të zgjedhur dy vite më parë nga Këshilli i Ministrave të Bosnjës, me ndihmën e Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara, UNDP.
Sipas grupit të ekspertëve, Bosnja dhe Hercegovina ka nevojë për një strategji të bashkuar për drejtësi tranzicionale, në mënyrë që të përmirësojë pozitën e viktimave në shoqërinë boshnjake, me beneficione sociale, kujdes shëndetësor pa pagesë, dhe mundësi punësimi.
Sipas një pyetësori të bërë nga UNDP-ja, më shumë se 70 për qind e popullatës boshnjake beson se viktimat e luftës nuk marrin benificionet që duhet.
Goran Simic, anëtar i grupit të ekspertëve, tha se kjo është hera e parë që nga fundi i luftës në Bosnjë që viktimat kanë diçka konkrete “për të marrë” në luftën e tyre për të pasur të drejtat që meritojnë.
Në tryezën e rrumbullakët, që u mbajt në ndërtesën parlamentit boshnjak, morën pjesë përfaqësues të Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë në Bosnjë, zyrtarë të OSBE-së dhe UNDP-së, si dhe përfaqësues të ministrive të Bosnjës për të Drejtat e Njeriut dhe Drejtësisë.
Thomas Osorio, këshilltar për Rendin e Ligjit dhe të Drejtave të Njeriut në UNDP-në, iu bëri thirrje të gjithë të pranishmëve të mbështesin strategjinë e Drejtësisë Tranzicionale, veçanërisht meqë dokumenti do të prezantohet së shpejti para parlamentit, dhe si i tillë, kërkon “sa më shumë mbështetje që është e mundur”.
“Një gazetar më pyeti kohët e fundit se si mund të sigurohemi që kjo nuk është vetëm një strategji tjetër që nuk do të implementohet, dhe u përgjigja se nuk mund të jemi të sigurt, por më lejoni t’ju bëj një pyetje, kush mund të jetë kundër lejimit të kompensimit për viktimat, ose ndërtimit të përkujtimoreve ose implementimit të rendit të ligjit përmes reformës institucionale”, tha Osorio.
Strategjia e Drejtësisë Tranzicionale duhet të prezantohet për miratim para asamblesë parlamentare të Bosnjës, më vonë gjatë verës.