Istraživanje 23 Dec 13

Bosnja: Politika etnike dikton pagesat

Të dyshuar serboboshnjakë për krime lufte kanë marrë 640 mijë euro nga paratë e shtetit dhe para tjera nga fonde private , përderisa boshnjakët dhe kroatët e Bosnjës nuk kanë marrë asgjë.

Denis Dzidiq
BIRN
Sarajevë

Bosnja dhe Hercegovina ka pësuar numrin më të madh të viktimave gjatë konflikteve të viteve 1990 në ish-Jugosllavi - rreth 100,000 - ndërsa rreth 2,2 milionë u larguan nga shtëpitë e tyre për shkak të luftës.

Si rezultat, 101 nga 161 aktakuzat e ngritura nga Tribunali i Hagës ishin për krime lufte të kryera në vend, megjithatë Bosnja ka shpenzuar shumë më pak për të paditurit e saj krahasuar me shumicën e ish shteteve tjera të-Jugosllavisë , ndërsa disa nga viktimat nuk kanë marrë asgjë nga shteti i tyre.

Dy entitetet politike në vend, Republika Srpska dhe Federata Boshnjako-Kroate, kanë qasje të ndryshme për të pandehurit e tyre në gjykatën e mbështetur nga OKB-ja: serbët zyrtarisht u kanë dhënë të dyshuarve të tyre pak përkrahje financiare, ndërsa Federata nuk ka ofruar kurrfarë ndihme.

Republika Srpska ka shpenzuar gjithsej 640,000 € për të paditurit e saj nga ICTY-ja, i thanë BIRN-it zyrtarët në Banja Lluka.

Ministria e Drejtësisë tha se autoritetet serbo-boshnjake kanë ndarë fonde për të pandehurit në tri mënyra.

Qeveria serbo-boshnjake vendosi në shtator të vitit 2005 se do t’ia japë 25.000 € secilit të akuzuar nga Tribunali i Hagës, i cili vullnetarisht dorëzohet te autoritetet lokale. Shtatë persona vepruan kështu, duke i kushtuar qeverisë gjithsejtë 175,000 euro edhe pse autoritetet nuk kanë pranuar të zbulojnë emrat e tyre.

Metoda e dytë ishte dhënia e granteve prej 50,000 eurosh për familjet e personave të arrestuar nga ICTY për t’u siguruar familjeve të tyre "mirëqenie financiare dhe materiale".

Së treti, autoritetet serbo-boshnjake ngritën një fondacion të quajtur Pomoq (Ndihmë) në vitin 2001, me ndihmën e Shoqatës së ish-luftëtarëve të Republika Srpska, me qëllim për të ndihmuar familjet e atyre që gjykoheshin nga ICTY-ja apo gjykatat shtetërore të Bosnjës.

Nga viti 2003 deri 2013, fondacioni ka marrë rreth 412.000 € nga qeveria serbo-boshnjake, para të cilat u janë shpërndarë familjeve të dyshuarve për krime lufte në Hagë apo Sarajevë.

Nuk ka pagesa për boshnjakët dhe kroatët

Pavarësisht faktit se dy komandantë nga koha e luftës të Ushtrisë së Bosnje-Hercegovinës ishin dërguar në gjykatën e Hagës - Sefer Haliloviq dhe Rasim Deliq - si dhe disa zyrtarë të lartë kroato-boshnjakë, qeveria e Federatës boshnjako-kroate nuk ka ndarë ndonjë fond për mbrojtjen e tyre apo familjeve të tyre, mëson BIRN.

"Mendoj se është humane dhe e moralshme për Republika Srpska t’u ndihmojë politikanëve dhe ushtarëve të saj, të cilët janë dënuar gabimisht."

Pantelija Curguz, kryetari i unionit të ish-luftëtarëve të Republika Srpska

"Qeveria e Federatës së Bosnje-Hercegovinës nuk ka planifikuar apo lëshuar mbështetje financiare për të pandehurit e Tribunalit të Hagës apo anëtarët e familjeve të tyre", tha Edita Kalajdziq, sekretare e qeverisë federale.

Por, gjersa autoritetet e Republika Srpska ndajnë fonde për familjet e të paditurve serbë për krime lufte, kostoja e mbrojtjes së tyre në ICTY financohet nga OKB-ja.

Të gjitha shpenzimet e gjykimeve të ish-udhëheqësve politikë dhe ushtarakë të serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq dhe Ratko Mlladiq, të cilat kushtuan disa qindra mijëra euro, janë paguar fillimisht nga ICTY-ja.

Pas disa viteve, ICTY këtë vit ka marrë vendim që Karaxhiq dhe Mlladiq duhet ta paguajnë një pjesë të mbrojtjes së tyre, pasi ata kanë mundësi të përballojnë atë. Karaxhiq ishte urdhëruar të bënte një pagesë prej 150.000 eurosh ndërsa Mlladiq 60.000 €.

Përfaqësuesit ligjorë të Karaxhiqit dhe Mlladiqit i kanë thënë BIRN-it se kurrë nuk kanë marrë ndonjë para nga autoritetet e Republikës Serbe për punën e tyre.

"Ndihma nënkupton dhënien e dokumenteve. Kurrë nuk kemi marrë ndonjë ndihmë financiare nga ndonjëra qeveri e Bosnje dhe Hercegovinës",tha Miodrag Stojanoviq, zëvendës avokati i Mlladiqit.

"E vetmja ndihmë financiare për ekipet e mbrojtjes vjen nga qeveria e Serbisë për qytetarët e tyre", tha ai.

Mlladiq ka përfituar rreth 6500 € deri tani nga Serbia si ndihmë personale por jo edhe për mbrojtjen e tij, i thanë BIRN-it zyrtarët në Beograd.

Deklarata e Stojanoviq u konfirmua nga Peter Robinson, këshilltar ligjor i Karaxhiqit.

"Shteti apo entiteti politik nuk ka asnjë detyrim ligjor për të ndihmuar të pandehurit e ICTY-së me mbështetje financiare. Megjithatë, disa shtete, të tilla si Kroacia dhe Kosova, kanë ofruar ndihmë financiare për shtetasit e tyre të akuzuar nga Tribunali i Hagës prandaj edhe mund t’i shihni rezultatet" tha Robinson.

Vitin e kaluar, ICTY në mënyre kontroverse shpalli të pafajshëm ish-kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj dhe gjeneralët kroatë Ante Gotovina dhe Mladen Markaq. Kroacia ka kontribuar shuma të mëdha për të ndihmuar gjeneralët e saj nga koha e luftës, por autoritetet e Kosovës kanë mohuar se kanë paguar për të mbështetur Haradinajn edhe pse një fond privat kishte mbledhur më shumë se një milion euro për të.

Viktimat dënojnë shpenzimet që bëhen për të dyshuarit

Disa nga viktimat e luftës janë të zemëruar me idenë që personat si Karaxhiq apo Mlladiq mund të marrin para publike për të ndihmuar ata të mbrohen nga aktakuza.

"Ne e dimë se shumë nga të akuzuarit e Hagës shihen pozitivisht në disa pjesë të popullsisë, kështu që mbështetja e politikanëve është thjesht një demonstrim i kësaj retorike"

Param - Preet Singh, Human Rights Watch

 

Kada Hotiq nga Srebrenica, e cila ka humbur disa nga anëtarët e familjes së saj, kur forcat serbe të Bosnjës sulmuan zonën e mbrojtur nga OKB-ja dhe masakruan më shumë se 7,000 burra e djem boshnjakë në korrik të vitit 1995, tha se këto pagesa paraqesin vazhdimin krimeve të luftës.

"Do të ishte shumë më mirë sikur ato para të investoheshin në rindërtimin e shkollave apo komuniteteve, në ndonjë punë të dobishme që do të ofronte vende pune," tha Hotiq.

Mendim të ngjashëm ka edhe Anxhellko Kvesiq, kryetar i Shoqatës së kroate i ish-të burgosurve në Bosnjën Qendrore, i cili tha se autoritetet duhet t’u japin më shumë para viktimave të torturuara dhe atyre që vuajtën gjatë konfliktit.

"Mendoj se ne duhet të mbajnë në mend se personat e akuzuar janë të pafajshëm derisa nuk provohet e kundërta, megjithatë, nuk kemi marrë pothuajse asnjë para për viktimat tona", tha Kvesiq.

Disa nga këto pika janë përmendur edhe nga kryeprokurori i ICTY-së, Serge Bramertz. Ai pranoi se është përgjegjësi e "shteteve sovrane të vendosin si duan t’i shpenzojnë paratë", duke thënë se e kupton zemërimin e disa viktimave.

"E kuptoj zhgënjimin e viktimave, veçanërisht në Bosnje dhe Hercegovinë, ku tani e disa vite ka qenë një përpjekje për të krijuar një fond besimi për viktimat megjithëse ende jemi larg një gjëje të tillë, ndërsa në anën tjetër mijëra euro janë shpenzuar për kriminelët potencialë të luftës", tha Bramertz për BIRN.

"Është normale se çdo i akuzuar dëshiron ta ketë mbrojtjen më të mirë dhe kjo është çështje që u takon shtetet sovrane, por unë do të doja që këto para t’u jepeshin me të njëjtin entuziazëm edhe viktimave", shtoi ai.

Megjithatë, jo gjithkund në Bosnjë mbretëron e njëjta pikëpamje, veçanërisht në mesin e serbëve të cilët mendojnë se ata janë sakrifikuar dhe në mënyrë disproporcionale janë dënuar për mizoritë e luftës.

Nedelko Mitroviq, kryetar i shoqatës së familjeve i të vrarëve dhe të zhdukurve të Republikës Srpska, tha se nuk ka asgjë të keqe në financimin e të pandehurve të ICTY-së, të cilët janë të pafajshëm derisa të provohet e kundërta.

"Nuk shoh asgjë të paligjshme këtu dhe kjo vetëm ndihmon njerëzit të kenë gjykim të drejtë", tha Mitroviq.

Dallimi në mes të qasjes së autoriteteve boshnjake serbe dhe federatës në dhënien e fondeve qëndron te fakti se Republika Srpska ka një qeveri të centralizuar të dominuar nga serbët, ndërkaq federata ka nevojë për konsensus ndërmjet boshnjakëve dhe kroatëve për të marrë një vendim të tillë, tha Vehid Sehiq, ekspert ligjor dhe ish-gjyqtar boshnjak.

Kjo ka qenë e pamundur, që do të thotë se të pandehurit serbë të Bosnjës do të marrë trajtim më të mirë prandaj kanë shanse më të mira në gjykatë se sa të pandehurit me prejardhje tjetër etnike, thotë Sehiq.

"Mendoj se kjo situatë është e papranueshme pasi tani kemi pasiguri ligjore. Njerëz nga entitete të ndryshme brenda një shteti po trajtohen ndryshe", tha ai.

Fondi serb mbledh të holla për serbët

Edhe pse të dy entitetet në Bosnjë dhe Hercegovinë i kanë dhënë BIRN-it të dhëna zyrtare në lidhje me shpenzimet e tyre për të pandehurit e Tribunalit të Hagës dhe familjet e tyre, format e tjera të ndihmës financiare për të dyshuarit për krime lufte ishin më të vështira për t’i vërtetuar.

Në qershor të vitit 2013, Republika Srpska filloi një skemë përmes së cilës "të gjithë punëtorët dhe punonjësit e qeverisë dhe kompanive publike" mund të dhurojë pjesë të pagave të tyre në fondin Pomoq ( Ndihma), tha Maja Radetiq, zëdhënëse për Ministrinë e Punës dhe Veteranëve në entitetin e kontrolluar prej serbëve.

Radetiq tha se ministria mban shënime sa ka dhuruar njerëzit.

Fondacioni Pomoq nuk ka publikuar asnjë llogari bankare, por kryetari i unionit të ish-luftëtarëve të Republika Srpska, Pantelija Çurguz, i cili kontrollon këtë fond u ankua se fondi nuk është i financuar mirë.

"Kemi fonde minimale dhe ato nuk mjaftojnë as për së afërmi", tha ai për BIRN-in.

Çurguz tha se dëshiron që Pomoq të jetë në gjendje të financojë rishqyrtimin e rasteve për të dënuarit serbo-boshnjakë për krime lufte pasi "shumë njerëz të pafajshëm po mbahen në burg".

"Mendoj se është humane dhe e moralshme për Republika Srpska t’u ndihmojë politikanëve dhe ushtarëve të saj, të cilët janë dënuar gabimisht dhe t’u financojë rishikimin e rasteve të tyre para gjykatave. Uroj që të gjithë të kenë mundësi ta vërtetojnë pafajësinë e tyre në gjykatë",tha ai.

Por, edhe pse pagesa të tilla janë të ligjshme, motivet pas tyre shpesh janë politike e jo humanitare dhe janë të frymëzuar nga retorika nacionaliste, tha Param - Preet Singh nga grupi ndërkombëtar i aktivistëve Human Rights Watch.

"Ne e dimë se shumë nga të akuzuarit e Hagës shihen pozitivisht në disa pjesë të popullsisë, kështu që mbështetja e politikanëve është thjesht një demonstrim i kësaj retorike", tha Singh.

Disqus

blog comments powered by Disqus