Lajm 13 Feb 13

Bosnja Kërkon Dënime për Gjenocid për Vrasësit e Srebrenicës

Prokurorët apeluan kundër verdiktit që i dënoi katër ish luftëtarët serbë të Bosnjës me gjithsej 142 vite burgim për krime ndaj njerëzimit në vitin 1995.

Raporti i Drejtësisë
BIRN
Sarajevë

Prokurori boshnjak, Dubravko Campara tha të mërkurën se po apelon sepse të pandehurit duhet ishin shpallur fajtorë për gjenocid dhe jo krime kundër njerëzimit.

Ai tha se gjyqi i shkallës së parë ka vendosur në menyrë të gabuar se të akuzuarit nuk kishin qellim për gjenocid.

“Trupi gjykues i ka shpallur të akuzuarit fajtorë për krime ndaj njerëzimit, ndërsa prokuroria beson se ka prova të mjaftueshme për t’i dënuar si ndihmues në gjenocid”, tha Campara.

Në verdiktin e shkallës së parë të dhënë në qershor të vitit 2012, Stanko Kojic u dënua me 43 vite burgim, Franc Kos dhe Zoran Goronja me 40 vite secili, dhe Vlastimir Golijan me 19 vite.

Verdikti vendosi se të pandehurit, si anëtarë të Ushtrisë serbe të Bosnjës, Detacmenti i Sabotazhit, ekzekutuan një grup me përafërsisht 800 burra, që ishin marrë nga Srebrenica në fermën ushtarake në Branjevë, më 16 korrik, 1995.

Në verdikt thuhet se të pandehurit kanë marrë pjesë gjithashtu në sulmin e serbëve të Bosnjës në Srebrenicë para vrasjeve në fermën në Branjevë.

Prokurori i shtetit propozoi që dhoma e apelit duhet të rrëzojë vendimin e shkallës së parë dhe të bëjë thirrje për rigjykim, ose të jap një aktgjykim të ri dhe t’i shpallë të pandehurit fajtorë për gjenocid.

I pandehuri Franc Kos apeloi gjithashtu, duke kërkuar që verdikti të ndryshohet në krime lufte ndaj popullatës civile ose krime lufte ndaj të burgosurve të luftës, për t’i dhënë dënim më të ulët.

Ai tha se nuk ishte dakord me verdiktin që e shpalli komandantin e grupit që bëri ekzekutimet në Branjevë, ose se ka marrë pjesë vullnetarisht në ekzekutimin e të burgosurve.

“Shkalla e fajit tim dhe fajit të kolegëve të mi është më e ulët sesa vendosi trupi gjykues. Kam respekt për viktimat dhe familjet e tyre. Edhe ata kanë të drejtë të dinë të vërtetën”, tha Kos.

Forcat serbe të Bosnjës pushtuan “strehën e sigurtë” të Srebrenicës së mbrojtur nga OKB-ja, më 11 korrik, 1995, ku më pas 7, 000 burra dhe djem boshnjakë u vranë.

Më vonë, vrasjet u njohën si gjenocid nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dhe nga Gjykata Ndërkombëtare për Krime në ish Jugosllavi.

Ekipet mbrojtëse për të pandehurit e tjerë do të prezantojnë apelet e tyre të premten.

blog comments powered by Disqus