Lajm 25 Jan 13

Bosnja iu Bën Thirrje Refugjatëve Serbë të Kthehen

Sarajeva thotë se mund të ndërtojë më shumë se 5 000 shtëpi për refugjatët që u arratisën gjatë luftës të viteve 1990-të, dhe që tani duan të kthehen.

Marija Ristic
BIRN
Beograd

Ministria për të Drejtat e Njeriut dhe Refugjatët në Bosnjë iu bëri thirrje refugjatëve të aplikojnë për t’u kthyer dhe të vendosen përfundimisht në vendin, nga i cili u arratisën pothuajse 20 vjet më parë gjatë luftës.

“Bosnja ka kapacitet të ndërtojë shtëpi për 5 400 familje refugjatësh, derisa 1 200 shtëpi parashikohen për serbët nga Serbia dhe 600 të tjera për serbët nga Kroacia, të cilët erdhën në Bosnjë gjatë luftës”, tha Drago Kovac, sekretar i ministrisë.

Skema është pjesë e një projekti rajonal banimi, i mbështetur nga fondi prej 583 milionë euro që u mblodh vitin e shkuar në një konferencë donatorësh në Sarajevë të organizuar nga Bosnja e Hercegovina, Kroacia, Serbia dhe Mali i Zi.

Projekti ka për synim të zgjidhë problemet e banimit të 27 000 familjeve të refugjatëve në Bosnjë, Kroaci dhe Serbi.

“Njëzet për qind e fondeve parashikohen për Bosnjën, 60 % për Serbinë dhe 20 % për Kroacinë”, tha Kovaci.

Gjatë luftës së viteve 1990-të, më shumë se gjysma e popullsisë së Bosnjës, rreth 2,2 milionë persona - u zhvendosën, ose u larguan si refugjatë.

Në Kroaci, numri i personave të zhvendosur ishte 550 000, ndërsa në Serbi 540 000. Refugjatët kanë afat deri më 7 shkurt për të aplikuar për skemën e banimit në Bosnjë.

“Qëllimi i projektit është të zgjidhë çështjen e të gjithë refugjatëve që dëshirojnë të kthehen në tri ose katër vitet e ardhshme”, tha Mario Nenadic, ndihmësministër në Ministrinë e të Drejtave të Njeriut në Bosnjë.

Banimi mbetet një problem madhor për refugjatët në vend, tha ai.

“Aktualisht në Bosnjë, ka pothuajse 50 000 kërkesa nga refugjatë në lidhje me rindërtimin e shtëpive të tyre të shkatërruara gjatë luftës”, shpjegoi ai.

Presidenti kroat, Ivo Josipovic, dhe ministri për Refugjatët në Bosnjë, Damir Ljubic, javën e shkuar bënë një thirrje të përbashkët që boshnjakët e zhvendosur të kthehen në shtëpitë e tyre të paraluftës.

Aktualisht Serbia ka numrin më të lartë të refugjatëve në Europë, dhe radhitet vendi i 13-të në botë për nga nurmi i refugjatëve.

Sipas statistikave më të fundit nga zyra në Beograd për refugjatë, ka 66 400 refugjatë nga Bosnja dhe Kroacia dhe 210 000 “persona të zhvendosur brenda vendit” nga Kosova që jetojnë në Serbi.

Ndërkohë, statistikat e qeverisë në Sarajevë tregojnë se Bosnja ka rreth 10 000 refugjatë dhe persona të zhvendosur brenda vendit.

Një raport i komisionit të OKB-së për të drejtat të njeriut, i dhjetorit të vitit 2011, tha se ka ende 2 600 persona të listuar si refugjatë në Kroaci.

blog comments powered by Disqus

Buletini ditor