Lajm 28 Jan 13

Boshnjakët Kërkojnë Ditën Botërore të Gjenocidit në Srebrenicë

Forumi Botëror Boshnjak i ka kërkuar sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së të përkujtojë masakrat e luftës, duke e shpallur 11 korrikun - Ditë Ndërkombëtare Përkujtimore të Gjenocidit në Srebrenicë.

Denis Dzidic
BIRN
Sarajevë

Kombet e Bashkuara duhet t’i përkujtojnë zyrtarisht vrasjet në konfliktin boshnjak, tha Mustafa Ceric, kryetari i Forumit Botëror Boshnjak, në një letër të dërguar sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, një ditë pas përkujtimeve të përvitshme të Ditës Ndërkombëtare të Holokaustit.

Kjo do të tregonte “respekt minimal për viktimat dhe për dinjitetin njerëzor”, shkroi Ceric, i cili është gjithashtu ish-kryetar i komuniteti islamik në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Forcat serbe të Bosnjës pushtuan “strehën e sigurt” të mbrojtur nga OKB-ja në Srebrenicë, më 11 korrik 1995, dhe më pas më shumë se 7 000 burra dhe djem boshnjakë u vranë në fshatrat përreth, dhe rreth 30 000 fëmijë, gra, dhe të moshuar lanë shtëpitë e tyre.

Vrasjet më vonë u njohën si gjenocid nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dhe Gjykata Ndërkombëtare për Krime në ish-Jugosllavi.

Ushtarakë serbë të Bosnjës dhe liderët politikë, Ratko Mladic dhe Radovan Karadzic, janë aktualisht në gjyq në Hagë për masakrën e Srebrenicës dhe akuza për krime të tjera lufte.

Në letrën e tij, Cerici i kujtoi sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së se organizata ka publikuar një raport për rënien e Srebrenicës në vitin 1999, në të cilën kishte premtuar të bënte përpjekje për të siguruar se 11 korriku do të deklarohej Dita Ndërkombëtare Përkujtimore për Gjenocidin e Srebrenicës.

Ai shtoi se OKB-ja kishte vlerësuar se rreth 20 000 boshnjakë ishin vrarë në Srebrenicë dhe “streha të tjera të sigurta” gjatë luftës së viteve 1992-95.

“Raporti për Srebrenicën tregonte dobësitë e qasjes së OKB-së në aksionin e serbëve të Bosnjës për spastrim etnik dhe vrasjeve masive që kulmuan në Srebrenicë. Raporti thekson se “ato gabime ishin pjesërisht gabim i neutraliteti dhe filozofisë së mosdhunës, që u vërtetua të ishte tërësisht e gabuar në konfliktin në Bosnjë”, shkroi Ceric.

Ceric u ankua gjithashtu për një incident këtë muaj në një koncert në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së për të shënuar vitin e ri ortodoks, kur ishte luajtur një këngë e lidhur me nacionalistët serbë “Marshi në Drinë”.

“Incidenti fundit, fatkeq në koncertin e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së më 1 janar na ka kujtuar sërish se njerëzimi duhet të jetë vigjilent dhe të vazhdojë të paralajmërojë për kërcënimet e vrasjeve masive”, tha Ceric.

Pas koncertit, zëdhënësi i sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Martin Nesirky, shprehu keqardhje për incidentin.

Ceric tha se Parlamenti Europian ka miratuar një rezolutë në vitin 2009 që e ka deklaruar 11 korrikun si ditën përkujtimore të gjenocidit në Srebrenicë.

“Bashkimi Europian ka marrë qëndrimin se institucionalizmi i ditës përkujtimore është mënyra më e mirë për të nderuar viktimat e gjenocidit dhe për të dërguar një mesazh të qartë për brezat e ardhshëm”, tha Ceric, duke e nxitur kështu OKB-në të ndjekë të njëjtin hap.

blog comments powered by Disqus