Një dëshmitar në gjyqin për krime lufte të një ish polici ushtarak serb të Bosnjës, Savo Babic tha se pa vrasjet dhe rrahjet e dhunshme në ndërtesën e shkollës në Bratunac në vitin 1992.
Dëshmitari i prokurorisë, Vahid Salkic tha se serbët e Bosnjës sulmuan fshatin e tij të Cerovacit afër qytetit lindor të Bratunacit në maj të vitit 1992 dhe vranë disa burra. Ai u fsheh në pyje me fshatarë të tjerë por pas tre ditësh, u urdhëruan të dorëzoheshin ose do të vriteshin.
“Mblodhën 50 ose 60 nga ne boshnjakët. Na cuan në ndërtesën e shkollës. Vunë [dy të burgosur] përballë derës së palestrës dhe i vranë”, tha Salkic.
“Mëngjesin e dytë, nëntë persona u mbytën në cep për shkak të mungesës së ajrit. Dëgjuam të shtënat gjatë natës së nesërme. Dritaret ishin thyer, kështu që patëm ajër”, tha ai.
Ai tha se të burgosurit u rrahën për vdekje me shkopinj druri.
“I vranë njerëzit me bishtin e sopatës në palestër. Disa u therrën I hodhën të vdekurit në hangar. E dija se i kishin therrur, sepse pashë gjak’, tha Salkic.
Dëshmitari tha se e rrahën atë dhe djalin e tij në ndërtesën e shkollës.
Prokuroria akuzon Babicin, komandantin e policisë ushtarake të asaj kohe në Bratunac, se ka urdhëruar, kryer dhe dështuar të parandalojë burgimin e civilëve joserbë në shkollë, në maj të vitit 1992.
Rreth 400 civilë të burgosur u rrahën dhe torturuan cdo ditë, dhe dhjetra të tjerë u vranë ose vdiqën si rezultat i kushteve në shkollë, thuhet në aktpadi.
Dëshmitari tha se e ka njohur Babicin para luftës, dhe konfirmoi se as nuk e pa të pandehurin në fshat, në ndërtesën e shkollës dhe as përballë saj.
“Nuk e di për cfarë ta akuzoj Savon, sepse nuk e kam parë”, tha Salkic.
Gjyqi do të vazhdojë më 18 shkurt.