Lajm 30 May 12

Bllaca: Thaçi Duhet Pyetur për SHIK-un

Ish-agjenti i vetëshpallur i Shërbimit Sekret të Kosovës, SHIK, Nazim Bllaca, thotë se kryeministri i Kosovës duhet pyetur për organizatën që tanimë nuk funksionon më.

Fatmir Aliu
BIRN
Prishtinë

Bllaca dëshmoi se nuk mund të përshkruajë se si shërbimi sekret ishte i organizuar, dhe tha se ishte vetëm një vrasës me pagesë, gjatë seancës së fundit dëgjimore në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë në gjyqin në lidhje me aktivitetet e ish-shërbimit të inteligjencës.

 “Unë isha vrasës. Se kush ishin drejtorët, ose se si organizoheshin në SHIK nuk mund t’jua them… Nuk jam në pozitë për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve. Por shkoni dhe pyesni Hashim [Thaçin]”, tha Bllaca.

“Mund të ju tregoj vetëm për grupin tonë.  Zgjoheshim në mëngjes, dhe ndiqnim dikë, deri sa e vrisnim. Kjo është çdo gjë që mund të ju tregoj për SHIK-un, se vriste njerëz,” shtoi ai.

Në vitin 2009, Kosova u trondit nga rrëfimet e ish-agjentit të SHIK-ut, i dyshuari Bllaca i cili pranoi se kishte vrarë një shqiptar që kishte bashkëpunuar me autoritetet serbe në vitin 1999.

Një ish-ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK, Fahredin Gashi u dënua me 18 vjet në burg, pas dëshmisë së Bllacës.

Një proces i dytë u hap, i njohur si “Bllaca 2”, ku gjashtë të dyshuarit Sadik Abazi, Shaban Syla, Bekim Syla, Driton Hajdari, Fahredin Uka dhe Fahredin Gashi u akuzuan - në bazë të dëshmisë së Bllacës - për vrasjen e Salih Gashit, dhe për dy akuza për vrasje në tentativë.

Gashi u qëllua për vdekje më 15 qershor 1999, mesa duket për shkak se ishte aktivist i Lidhjes Demokratike të Kosovës, LDK. LDK-ja, që në atë kohë udhëhiqej nga presidenti i parë i Kosovës, Ibrahim Rugova, ishte kundërshtarja kryesore politike e Partisë Demokratike të Kosovës, PDK.

Avokatët mbrojtës e morë Bllacën në pyetje për strukturën organizative të shërbimit sekret.

“Di që në krye ishte Kadri Veseli, Fatmir Xhelili dhe Ferat Shala. Nuk jam takuar kurrë me Kadri Veselin, por me dy të tjerët po”, i tha ai, gjykatës.

Avokati mbrojtës e ka kërkuar Bllacës t’i japë gjykatës prova që mund të konfirmojnë se ai ka qenë në të vërtetë pjesë e ish-agjencisë së inteligjencës.
SHIK-u u formua nga radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK, pas përfundimit të luftës me Serbinë në vitin 1999, dhe pastaj u bë krahu i inteligjencës i Partisë Demokratike të Kosovës, PDK, që qeveris në vend tani.

Shërbimi sekret besohet se ka eliminuar rivalët politikë të PDK-së gjatëve viteve 2000 dhe 2001, edhe pse kjo nuk është vërtetuar në gjykatë.

SHIK tha në qershor të vitit 2008 se është shpërbërë zyrtarisht.

Por një ekspert amerikan në çështjet shqiptare, David Phillips, publikoi një raport në vitin 2010 për agjencinë, duke cituar një burim anonim duke thënë se ky organ që supozohet jofunksional tani ende merr 200 milionë dollarë në vit nga ryshfete, zhvatje, mashtrime dhe shërbime mbrojtjeje.

Ish-shefi i SHIK-ut, Kadri Veseli, në një shfaqje të rrallë televizive më 2009, tha se biznese të ndryshme e kanë financuar SHIK-un dhe mohoi çdo lidhje me vrasje politike.

blog comments powered by Disqus