Lajm 29 May 12

Beli Manastir: Prokuroria Kërkon Dënim Maksimal

Prokuroria për Krime të Luftës në Serbi kërkoi që katër të pandehurit të dënohen me një total prej 53 vitesh në burg, për krimet ndaj civilëve, të kryera në qytetin kroat, Beli Manastir, më 1991.

Marija Ristic
BIRN
Beograd

Prokurori Veselin Mrdak tha se, gjatë procesit dyvjeçar, prokuroria ka vërtetuar përtej çdo dyshimi se të pandehurit kryen krimin e cilësuar në aktpadi.

Sipas aktpadisë, Zoran Vuksic, Slobdan Strigic, Branko Hrnjak dhe Velimir Bertic, të gjithë anëtarë të njësisë speciale të forcave ushtarake të Rajonit Autonom Serb të Sllavonisë Lindore, Baranjë dhe Sremit Perëndimor, ishin përgjegjës për vrasjen e të paktën gjashtë civilëve me kombësi joserbe, në komunën Beli Manastir në Kroacinë lindore, në vitin 1991.

Ata akuzohen gjithashtu për burgim të paligjshëm, dhunim të integritetit trupor, shantazhim, terror, torturë dhe trajtim çnjerëzor të civilëve.

“Të gjithë të pandehurit iu përkisnin forcave policore të palës serbe në konflikt, dhe si të tillë përgjegjësia e tyre për krimin ishte më e madhe”, shtoi Mrdak.

Mrdak kërkoi që Zoran Vuksic të dënohet me 20 vjet burgim, duke qenë se konsiderohet të jetë më përgjegjësi për krimet e kryera; Slobodan Strigici me 14 deri në 15 vjet, Branko Hrnjak me 13 deri në 14 vjet, ndërsa Velimir Bertic tre deri në katër vjet.

Avokatët mbrojtës të Zoran Vuksicit prezantoi gjithashtu argumentet mbyllëse të martën, duke thënë se klienti i tyre nuk i ka kryer krimet për të cilat akuzohet.

Prokuroria e akuzon Zoran Vuksicin, të njohur si “I Verdhi” për sulmin ndaj z. dhe znj Baric, një çift kroat. Bashkëshorti Adam Baric, u qëllua për vdekje, ndërsa bashkëshortja Ana Baric, u plagos me thikë.

Shumë dëshmitarë dëshmuan që Vuksici ishte anëtar i grupit paramilitar të ashtuquajtur “Seseljevci”, të udhëhequr nga Vojislav Seselj, lideri i Partisë Radikale Serbe, i cili momentalisht po pret aktgjykimin para Tribunalit të Hagës për përfshirje në konfliktet në ish-Jugosllavi.

Avokatët mbrojtës, sidoqoftë, thonë se edhe pse ka foto të Vuksicit bashkë me Seseljin, i pandehuri nuk ka qenë kurrë anëtar i Partisë Radikale Serbe, dhe as nuk mbështeti në ndonjë mënyrë se çfarë bëri Seselji gjatë konfliktit në ish-Jugosllavi.

Avokatët mbrojtës theksuan gjithashtu nevojën për të procesuar zyrtarë të lartë përgjegjës për krimet në Kroacinë lindore, duke theksuar se “roli i Shërbimit të Sigurisë ishte kyç dhe nuk duhet lënë i pazgjidhur, sepse kështu të pandehurit do të përdoren për t’i mbuluar ato”.

Pala mbrojtëse do të vazhdojë me prezantimin e argumenteve mbyllëse të mërkurën.

blog comments powered by Disqus

Klasifiko