Ekipi mbrojtës i Ratko Mladicit, ish-komandant i ushtrisë serbe të Bosnjës, i kërkoi sërish Tribunalit të Hagës të shtyjë fillimin e prezantimit të provave për gjashtë muaj për shkak të “problemeve të vazhdueshme me zbulimin e provave”.
Avokatët mbrojtës të Mladicit kishin kërkuar më parë për një vonesë gjashtëmujore, disa herë para se gjyqi të fillonte më 16 maj, dhe kjo është hera e dytë që nga fillimi i gjyqit që kërkojnë shtyrje.
Branko Lukic, avokati mbrojtës i Mladicit, argumenton se gjyqi i tij është ndryshe nga të gjithë gjyqet e tjera të Tribunalit të Hagës, ku provat u dorëzuan nga ekipet mbrojtëse “të paktën tre muaj para prezantimit të provave”.
“Mbrojtja ende nuk i ka marrë të gjitha provat dhe prokuroria dha raporte të pasakta për zbulimin e tyre. Trupi gjykues caktoi datën për prezantimin e provave, bazuar në faktin se mbrojtja i kishte marrë të gjitha provat që prokuroria do të përdorte gjatë marrjes në pyetje të dëshmitarëve. Sidoqoftë nuk i kishte marrë provat e nevojshme për ekzaminime të tjera të dëshmitarëve”, tha Lukic.
Prezantimi i provave fillimisht u caktua të fillonte më 29 maj, por u shty deri në 25 qershor duke qenë se mbrojtja nuk i kishte marrë të gjitha provat.
Prokurorët e Hagës fajësuan gabimet teknike për vonesën në dhënien e të gjitha provave të deklaruara ekipit mbrojtës por theksoi se “vetëm pak më shumë se tre për qind e provave të zbuluara” ishin ndikuar nga këto probleme teknike.
Mladici akuzohet për akte gjenocidi në Srebrenicë në vitin 1995 dhe komuna të tjera në Bosnjë në vitin 1992 si dhe për persekutim të Boshnjakëve dhe kroatëve në territoret e kontrolluar nga ushtria serbe i Bosnjës, VRS, bombardim dhe snajperë në Sarajevë si dhe marrjen peng të ushtarëve ndërkombëtarë.
Të enjten, më 31 maj, Prokuroria e Hagës i dorëzoi Trupit Gjykues një mocion të shkruar, që përmbante listën e rishqyrtuar të 14 dëshmitarëve që donte të ftonte gjatë muajit të parë të prezantimit të provave.
Prokuroria tha se kanë rishqyrtuar listën dhe zgjedhur ata dëshmitarë për të cilët mbrojtja ka marrë materialin e nevojshëm.
“Këta 14 dëshmitarë do të flasin për dy masakrat e kryera në vitin 1992, fillimin e bombardimeve në Sarajevë në maj të vitit 1992, incidentin me snajper dhe një nga vrasjet masive në Srebrenicë. Gjatë kësaj pjese të gjyqit do të prezantojmë provat në lidhje me strukturën organizative të VRS-së dhe mënyrën se si Mladici tregoi autoritetin e tij si komandant,” thuhet në mocionin e prokurorisë së Hagës.
Nga 14 dëshmitarët, pesë do të jenë dëshmitarë të mbrojtur. Një nga ta është një ish ushtar serb i Bosnjës që do të flasë për urdhrat që iu dhanë gjatë rrethimit të Sarajevës.
Dy dëshmitarët, Rajif Begic dhe Elvedin Pasic, do të flasin për vrasjet masive të boshnjakëve në Kljuc dhe Sanski Most.
Joseph Kingori dhe Eelco Koster, të dy ish-paqeruajtës holandezë të OKB-së të vendosur në Srebrenicë dhe Momir Nikolic, një ish-oficer i ushtrisë serbë të Bosnjës, që u dënua në vitin 2006 me 20 vjet në burg për pjesëmarrje në vrasjet atje, do të flasë për krimet e kryera nga ushtria serbe i Bosnjës në Srebrenicë, në korrik të vitit 1995.
Ish-paqeruajtësit e OKB-së, David Harland dhe John Jordan, si dhe Aernout Van Lynden, ish-reporter televiziv i Sky News, të cilët raportuan nga Srebrenica midis 1992 dhe 1994 do të flasin për krimet e kryera në kryeqytetin boshnjak.