Dëshmitari i prokurorisë në gjyqin për krime në Prozor thotë se i pandehuri Zeljko Jukic, e rrahu në kampin në Dretelj, në vitin 1993.
Almin Dautbegovic tha se më 6 korrik 1992 u arrestua në fshatin Duge afër Prozorit dhe u dërgua në ndërtesën e shkollës së mesme.
Disa ditë më vonë, kujtoi dëshmitari, ai u dërgua në kampin në Dretelj, ku u rrah nga Jukic.
“Në Dretelj na vunë në rresht dhe na rrahën. Babai im dhe unë u rrahëm nga Zeljko Jukic. Kur më qëlloi papritur, mu errësuan sytë dhe pastaj më qëlloi përsëri”, tha dëshmitari, duke shpjeguar se më vonë mori vesh se kush ishte i pandehuri.
I pyetur nga prokuroria dhe avokati mbrojtës pse nuk kishte treguar më parë që Jukici e kishte qëlluar në Dretelj, dëshmitari u përgjigj se kishte qenë i pasigurt.
“Kur dhashë një deklaratë në vitin 2011 tek prokuroria e shtetit nuk dhashë emrin e Jukicit. Tani e pashë dhe jam i sigurt që është ai personi që më rrahu. Më parë, ka pasur prova rrethanore se ai më qëlloi, por nuk mund të isha i sigurt, derisa e pashë”, tha Dautbegovic.
Jukici akuzohet se ka marrë pjesë, bashkë me anëtarë të tjerë të Këshillit të Mbrojtjes Kroate, HVO, dhe Ushtrisë Kroate, HV, në persekutimin e civilëve boshnjakë, për vrasje dhe zhdukje në Prozor nga korriku deri në shtator të vitit 1993.
Aktpadia hedh dyshime se më 6 korrik 1993, Jukici, i shoqëruar nga një grup anëtarësh të HVO-së, mori pjesë në një sulm mbi popullatën boshnjake në fshatin Duge dhe vrau një burrë 73-vjeçar përballë shtëpisë së tij.
Dautbegovic tha se Jukici ishte gjithashtu në autobusin që e çoi nga fshati Duge në Dretelj.
Sipas dëshmitarit, ai u dërgua në shkollën e mesme në Pozor me burra të tjerë nga Duga “vetëm se ishin myslimanë”.
“Ishim të paarmatosur; nuk kishte rezistencë nga ana jonë. Arsyeja e vetme që u detyruam të largoheshim ishte se ishim myslimanë”, tha dëshmitari.
Seanca e ardhshme dëgjimore do të mbahet më 23 gusht.